Foto: REL/Reuters

Turqia zemërohet nga karikatura e Erdoganit në revistën “Charlie Hebdo”

Politikanët turq shprehën zemërim ndaj revistës satirike franceze “Charlie Hebdo” e cila publikoi një karikaturë që tallte presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili tashmë është në mosmarrëveshje me homologun e tij francez për komentet e tij mbi Islamin.

Karikatura tregon presidentin turk me një grua gjysmë të zhveshur ndërsa bën një koment në lidhje me profetin Muhamed.

Erdogan e quajti “Charlie Hebdo”, e cila ishte objekt i një sulmi terrorist pesë vjet më parë kur publikoi karikaturat e profetit Muhamed, një “revistë imorale”.

“Nuk i kam parë karikaturat. Nuk kam nevojë të them asgjë për këta njerëz të ulët që fyejnë profetin tim”, tha Erdogan në një fjalim në parlamentin turk.

Fahrettin Altun, drejtori i komunikimit në presidencën turke, shkroi në Twitter se karikaturat e Erdoganit në revistë janë “produkte të qarta të një ambienti kulturor ksenofob, islamofob dhe intolerant”.

Ai e lidhi publikimin e karikaturave me komentin e presidentit francez Emmanuel Macron se Islami është “një fe në krizë në të gjithë botën” pasi një ekstremist mysliman i preu kokën një mësuesi francez pasi ky i fundit i tregoi klasës së tij karikaturat e profetit Muhamed nga “Charlie Hebdo” si pjesë të një ore mësimi mbi lirinë e fjalës.

“Axhenda anti-myslimane e presidentit francez Macron po jep fryte! “Charlie Hebdo” sapo publikoi një seri karikaturash plot me imazhe të përçmuara kinse të presidentit tonë. Ne e dënojmë këtë përpjekje të neveritshme nga kjo revistë për të përhapur racizmin dhe urrejtjen e saj kulturore”, tha Altun.

Zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin, gjithashtu e dënoi revistën.

“Ata thjesht po tregojnë vulgaritetin dhe imoralitetin e tyre. Një sulm ndaj të drejtave personale nuk është humor dhe liri shprehje”, tha Kalin.

Zemërimi turk krijoi një tjetër shtresë në mosmarrëveshjet turko-franceze rreth karikaturave të profetit Muhamed dhe përplasjeve personale midis presidentit turk dhe homologut të tij francez Emmanuel Macron.

Gazeta e përditshme pro-qeveritare turke Yeni Safak e quajti “Charlie Hebdo” një “provokatore të pamoralshme”.

Partitë e opozitës gjithashtu iu bashkuan këtij mendimi.

“E dënoj presidentin Francez Macron dhe ideologjinë barbare të përfaqësuar nga ai, i cili e sheh të drejtë të fyejë profetin tonë”, tha Meral Aksener.

Ndërsa bënte homazhe për mësuesin francez, Macron tha se Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat tona”.

Si përgjigje, Erdogan i tha Macron të kontrollonte shëndetin e tij mendor.

Turqia dhe disa vende arabe kanë vendosur embargo për importet franceze pas komenteve të Macron në lidhje me Islamin.

Erdogan u bëri thirrje qytetarëve turq: “Mos ndihmoni kompanitë franceze dhe mos blini produktet e tyre.”

Dymbëdhjetë persona u vranë dhe 11 u plagosën kur disa islamistë të armatosur sulmuan zyrat e “Charlie Hebdo” në janar 2015 pasi kjo e fundit  publikoi karikaturat e profetit Muhamed/Reporter.al