Turqia synon ta forcojë kontrollin e medias me projektligjin për 'lajmet e rreme'
Një projektligj i ri, nëse miratohet, pritet të sjellë kufizime të mëtejshme mbi lirinë e shprehjes në internet dhe lirinë e medias në Turqi.
Një projektligj para parlamentit turk që pretendon se dëshiron t’i luftojë “lajmet e rreme” po kritikohet ashpër për zgjerimin e mundshëm të kontrollit të qeverisë mbi internetin dhe median.
Nëse miratohet, ligji mund t’a lejojë qeverinë t’i kufizojë më tej aktivitetet gazetareske, thonë kritikët.
Në Turqi, pothuajse 90% e medias kombëtare tashmë kontrollohet nga qeveria dhe mediat kritike janë nën presion të madh financiar dhe gjyqësor. Projektligji i propozuar rishtazi i ka si synim mediat sociale dhe ato online – një hapësirë që qeveria nuk ka qenë në gjendje ta kontrollojë plotësisht deri më tani.
Sipas projektligjit në fjalë, vepra penale e “shpërndarjes së hapur të informacionit që mashtron publikun” do t’i shtohej kodit penal turk. Ata që shpërndajnë informacione që konsiderohen të rreme për “sigurinë e brendshme dhe të jashtme të vendit, rendin publik dhe shëndetin publik” do të përballen me burgim deri në tri vjet. Nëse vepra është kryer nga dikush që fsheh identitetin e tij të vërtetë ose si pjesë e aktiviteteve të një organizate, dënimi do të rritet përgjysmë.
Diskutim i pashmangshëm
Parlamentarët nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) e shtruan propozimin për ta amenduar ligjin për media përpara parlamentit të Turqisë me 26 maj. Komisioni parlamentar për Drejtësinë do ta fillojë diskutimin e projektligjit më 1 qershor.
Sipas hartuesve të tij, projektligji synon t’i mbrojë njerëzit nga “ofendimet, shpifjet, fyerjet, diskreditimi, urrejtja dhe diskriminimi”.
“Akti i prodhimit ose shpërndarjes së qëllimshme të lajmeve të rreme është bërë një kërcënim serioz që i pengon të drejtat e qytetarëve për qasje në informata të vërteta në Turqi,” thuhet në një deklaratë që justifikonte projektligjin e lartcekur.
Megjithatë, mungesa e një përcaktimi të qartë në projektligj se çfarë është në të vërtetë “dezinformimi” apo “fake neës” ka ngritur pikëpyetje se mbi çfarë do të bazohen akuza të tilla.
Mijëra përdorues të mediave sociale në Turqi kanë qenë tashmë viktima të procedurave të dyshimta ligjore në këtë drejtim. Postimet në mediat sociale citohen shpesh si dëshmi në paditë kundër gazetarëve, intelektualëve dhe politikanëve, dhe dëshmitë në gjyqe që kanë të bëjnë me akuzat për “fyerje të presidentit” zakonisht merren nga postimet e mediave sociale.
Ekspertët e komunikimit dhe partitë opozitare dakordohen se qëllimi i përgjithshëm i projektligjit është ta kontrollojë dhe ta kufizojë lirinë e mendimit dhe të shprehjes.
‘Lloj krimi i pakuptueshëm’
Yaman Akdeniz, profesor i së drejtës dhe mbrojtës i të drejtave kibernetike, ka deklaruar për DW-në se vendosja e ligjit të një vepre të re të përcaktuar si shpërndarje e hapur e informacionit që synon ta mashtrojë publikun do të shkaktojë vështirësi në praktikë.
Sipas Akdenizit, përshkrimi i këtij krimi në projektligj tregon se mënyra e procedurës ligjore nuk do të jetë ndryshe nga ajo e krimeve të tjera si fyerja e presidentit.
“Në fakt është një lloj krimi i pakuptueshëm në letër. Është përcaktuar gjerësisht dhe është i hapur për t’u zbatuar në mënyrë arbitrare. Duket se do të përdoret shpesh në periudhën e ardhshme elektorale. Do të shohim që prokurorët do t’i nisin hetimet për lajmet me ndikim të madh dhe në përmbajtjen e mediave sociale”, thotë ai.
‘Përgatitja parazgjedhore’
Sipas partisë kryesore opozitare, CHP, qëllimi kryesor i qeverisë është ta kontrollojë internetin dhe mediat sociale përpara zgjedhjeve.
Deputeti i CHP-së, Utku Cakırozer, i cili ndoqi fazat e përgatitjes së propozimit në Komisionin e Medias Dixhitale të Parlamentit, tha për Dë se gjatë negociatave, partitë opozitare e kritikuan projektligjin për ngushtimin e lirisë së shprehjes në internet dhe lirisë së medias.
“Para zgjedhjeve, qeveria jo vetëm që dëshiron ta parandalojë shtypin të raportojë lirisht dhe objektivisht, por gjithashtu dëshiron të krijojë një atmosferë presioni që do të kufizojë të drejtën e qytetarëve për të kritikuar dhe lirinë e shprehjes në mediat sociale. Ndoshta kjo është ajo që ne duhet të fokusohemi”, tha ai.
Një tjetër pikë kritike e propozimit ka të bëjë me lëshimin e kartelave të shtypit.
Sipas projektligjit, për të marrë një kartelë shtypi, një person nuk duhet të dënohet sipas ligjit kundër terrorizmit dhe ligjit për financimin e terrorizmit.
Nëse propozimi bëhet ligj, çdo gazetar, kartela e shtypit e të cilit është anuluar në lidhje me këto dënime, nuk do të jetë në gjendje të marrë një kartelë shtypi për një vit pas datës së anulimit, edhe pasi të jenë hequr pengesat. Nëse kartela e shtypit anulohet si rezultat i aktiviteteve dhe sjelljeve që konsiderohen në kundërshtim me parimet morale të shtypit, e njëjta nuk do të lëshohet më për një periudhë pesëvjeçare.
Këto janë edhe disa krime të tjera për të cilat gazetarët nuk do të mund të marrin kartelën e shtypit për një vit nga data e anulimit edhe nëse nuk janë më tutje të dënuar: shpifje, krime kundër rendit dhe qetësisë publike, krime kundër rendit kushtetues dhe funksionimit të tij, krime kundër mbrojtjes kombëtare, krime kundër sekretit shtetëror dhe spiunazh.
Organizatat e shtypit e kanë kritikuar prej kohësh qeverinë me arsyetimin se ajo ishte arbitrare në rregulloret e saj për kartelat e shtypit. Shumë organizata dhe sindikata të shtypit tashmë paralajmërojnë se prej tani po përgatitet mekanizmat më seriozë të censurës dhe autocensurës në historinë e Turqisë dhe po bëjnë thirrje për tërheqjen e propozimit të lartcekur./DW