Plazh në Antalja. Foto: Pixabay/Oleg_Mit

Turqia shpreson që izolimi i ri do të shpëtojë sezonin turistik

Pas një shtimi rastesh me COVID-19, Turqia këtë javë e futi vendin në një izolim total për 17 ditë – përpara një sezoni turizmi të ardhurat e të cilit i duhen vendit për shkak të krizës së tij të thelluar ekonomike.

Punonjësit e sektorit të turizmit dhe ekspertët pajtohen se sektori tani është në telashe të thella.

“Nëse e humbasim këtë sezon turistik, pas vitit të kaluar, nuk jam i sigurt se si do të mbijetojë ky sektor i madh dhe nëse vendi mund ta trajtojë humbjen e një sasie kaq të madhe të ardhurash”, tha për BIRN Ozgur Hacioglu, menaxher i një kompanie turistike në Stamboll që sjell pushues nga Azia, Evropa dhe Rusia.

Hacioglu tha se si sektori ashtu edhe vendi kanë nevojë për të ardhurat nga turizmi për ta ndihmuar ekonominë e goditur keq nga pandemia të rimëkëmbet.

“Në një kohë kur Evropa po hyn në një fazë rihapjeje, ne duhet të ulim me shpejtësi shifrat ditore të infektimeve me COVID nën 5,000 që të mos mbetemi pas”, tha presidenti Rexhep Tajip Erdogan më 26 prill kur lajmëroi izolimin e plotë 17 ditor, pasi numri i rasteve të përditshme dhe vdekjeve u rritën.

“Përndryshe, do të përballemi në mënyrë të pashmangshme me kosto të mëdha në çdo fushë, nga turizmi, në tregti dhe arsim”, vazhdoi ai.

Shifrat e fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë më 28 prill thonë se Turqia regjistroi më shumë se 40,000 raste të reja me COVID-19 dhe 341 vdekje një ditë më parë.

Kjo e bëri Turqinë vendin me numrin më të lartë të rasteve ditore dhe vdekjeve në Evropë.

Sipas dekretit të qeverisë, të gjitha dyqanet dhe bizneset, duke përjashtuar sektorin e prodhimit, tregjet dhe furrat e bukës, do të mbyllen për 17 ditë në izolimin më të gjatë që vendi ka vënë në zbatim që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020.

Para pa të cilat vendi s’bën dot

Flamuri turk pranë urës së Bosforit. Foto: Wikipedia.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, me pak më shumë se 50 milionë vizitorë të huaj në 2019, Turqia ishte destinacioni i gjashtë më i njohur turistik në botë atë vit, duke tërhequr turma të mëdha njerëzish në plazhet e saj me rërë, në qytetin e Stambollit dhe një mori vendesh dhe monumentesh historike.

Fluksi i atij viti ishte një rekord, i cili bëri që Turqia të fitonte 34.5 miliardë dollarë amerikanë.

Turqia po planifikonte një tjetër vit rekord në 2020, pasi vlera e lirës turke ra, duke e bërë vendin më të lirë për të huajt.

Por pandemia COVID-19 ndryshoi gjithçka.

Sipas Agjencisë Turke të Statistikave, TurkStat, numri i turistëve në Turqi në vitin 2020 ra me 69 për qind krahasuar me vitin 2019, kur u regjistruan 15.9 milion vizitorë të huaj. Të ardhurat nga turizmi ranë ndjeshëm me 65 për qind dhe sollën vetëm 12 miliardë dollarë amerikanë.

“Ka pasur një rënie të madhe në të ardhurat e turizmit, si dhe në numrin e turistëve”, vuri në dukje Hacioglu.

“Shumë tregje turistike janë të mbyllura sepse nuk ka fluturime. Ne i kishim kthyer sytë nga turistët iranianë për shkak të pushimeve të tyre kombëtare të pranverës, dhe nga rusët që zakonisht fillojnë të vijnë në prill, por të dy këto tregje gjithashtu dështuan”, kujton ai.

Si vendi që dërgon numrin më të lartë të turistëve të huaj në Turqi, tregu rus është shumë i rëndësishëm për turizmin turk.

Por qeveria e Rusisë javën e kaluar ndaloi të gjitha fluturimet për në Turqi deri më 1 qershor për shkak të përhapjes së pandemisë në vend.

SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe vende të tjera evropiane dhanë gjithashtu këshilla zyrtare për të mos udhëtuar në Turqi.

“Me rritjen e numrit të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19 për shkak të politikave të dështuara të qeverisë, më shumë se 70 për qind e rezervimeve tona u anuluan,” i tha BIRN kreu i një zyre rezervimesh në një hotel me pesë yje në Stamboll, në kushte anonimati

“Nuk kemi pasur asnjë rezervim të ri prej ditësh tashmë pasi të gjithë duan të shohin se çfarë do të ndodhë dhe nëse qeveria turke mund ta kontrollojë pandeminë”, shtoi ai.

Hoteli i tij u desh të dërgonte në shtëpi me leje të papaguar më shumë se gjysmën e punonjësve të tij dhe hoteli, ashtu si shumë të tjerë, i ka sytë tani nga mbështetja që mund të ofrojë qeveria.

“Megjithatë, mbështetja e qeverisë nuk është e mjaftueshme dhe është e pamundur të vazhdohet në këto rrethana. Ne kemi nevojë ta kapim këtë sezon turistik”, paralajmëroi ai.

Indekset e përgjithshme ekonomike nuk janë të mira. Lira turke ka humbur më shumë se 37 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit amerikan që nga janari 2020.

Kur presidenti Erdogan shkarkoi guvernatorin e katërt të bankës qendrore në mars në vetëm 20 muaj, lira humbi më shumë se 15 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit në një ditë.

Shkalla e inflacionit dhe shkalla e papunësisë u rritën përkatësisht në 16 për qind dhe 13.4 për qind në mars, por ekspertët mendojnë se normat reale ka të ngjarë të jenë më të larta dhe akuzojnë qeverinë për manipulim të shifrave për të krijuar një imazh më të mirë.

Në një situatë të vështirë ekonomike, qeveria turke akuzohet se nuk ka mbështetur bizneset dhe qytetarët e saj.

Sipas FMN, qeveria turke ka ndarë vetëm 1.9 për qind të PBB-së së saj në paketat e mbështetjes pandemike, duke e bërë atë, së bashku me Shqipërinë dhe Meksikën, një nga tre vendet me performancën më të keqe për sa i përket mbështetjes së qytetarëve të saj

E paqartë se kur do të jetë nën kontroll pandemia

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/ Recep Tayyip Erdogan.

“Deri në fund të majit do të vaksinojmë të gjithë punonjësit e sektorit të turizmit. Turqia është gati për sezonin e turizmit”, këmbënguli më 27 prill ministri i turizmit Mehmet Nuri Ersoy kur u takua me homologun e tij ukrainas për të diskutuar sezonin.

Megjithatë, ekspertët e shëndetit dhe përfaqësues të sektorit të turizmit nënvizuan pasigurinë e vazhdueshme për sezonin e ardhshëm.

Sedat Ziyade, kryemjek në Spitalin Universitar Bezmi Alem të Stambollit në Dragos, i tha BIRN se ai shpresonte që vendi ta kishte kaluar pikun e pandemisë.

“Kemi arritur nivelin maksimal për sa i përket rasteve. Ne regjistruam më shumë se 60,000 raste të reja në ditë. Pas kësaj, u prezantuan masa të reja dhe procesi i vaksinimit u përshpejtua. Sipas vlerësimeve tona, rastet do të ulen ndjeshëm brenda dy javësh”, tha ai.

Ziyade tha se sistemi mjekësor turk ka fuqinë dhe përvojën për të kontrolluar pandeminë, për sa kohë që respektohen masat shëndetësore.

“Megjithatë, për shkak të arsyeve të tjera shoqërore dhe ekonomike, u prezantua normalizimi dhe më pas numri i rasteve u rrit ndjeshëm, dhe tani po përjetojmë kulmin e valës së tretë. E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo pandemi është vaksinimi. Nuk kemi zgjidhje tjetër.”

Megjithatë, procesi i vaksinimit ka ende një rrugë të gjatë përpara. Vetëm 8.8 milionë banorë nga një popullsi prej 83.6 milionë banorësh kanë marrë të dyja dozat e vaksinave për COVID-19 dhe vendi ka mungesë dozash, pavarësist se po arrin marrëveshje me kompani evropiane, kineze dhe ruse.

“Do të kemi vështirësi me furnizimet me vaksina në dy muajt e ardhshëm”, pranoi më 28 prill ministri i shëndetësisë Fahrettin Koca.

“Edhe nëse vaksinojmë të gjithë vendin, për sa kohë që pranojmë viziotorë nga vende të tjera, mund të ketë infeksione të reja”, paralajmëroi Ziyade.

“Nga ana mjekësore, udhëtimi duhet të minimizohet në kushtet e pandemisë për të kontrolluar sëmundjen. Megjithatë, arsye të tjera ekonomike, veçanërisht të ardhurat nga turizmi, na detyrojnë të marrim vendime të ndryshme, dhe ne e kuptojmë këtë. Duhet të gjendet një model midis hapjes së kufijve dhe kontrollit efektiv të pandemisë”, tha ai.

Hacioglu thotë se ka pasiguri të madhe në sektorin global të turizmit.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me Turqinë. Edhe nëse kontrollojmë pandeminë, do të duhet të kontrollojmë situatën në vendet e tjera para se të vijnë turistët dhe fluturimet. Kur pandemia është jashtë kontrollit në një vend, ajo ndikon në të gjithë sektorin”, tha ai.

Sipas tij, ka gjithashtu një mungesë besimi te Turqia, veçanërisht nga Perëndimi, në lidhje me besueshmërinë e të dhënave të saj.

“Tregu më i rëndësishëm për ne është Evropa”, tha ai.

“Për fat të keq, siç e dimë, u zbulua se Turqia i manipuloi shifrat verën e kaluar për të mos humbur turistë – dhe pas kësaj shumë njerëz të infektuar u kthyen në vendet e tyre nga pushimet në Turqi, dhe qeveritë evropiane më pas anuluan fluturimet për në Turqi”, kujtoi Hacioglu.

Ministri i zhëndetësisë Koca pranoi vitin e kaluar se qeveria kishte raportuar vetëm rastet me COVID-19 të cilët kishin shfaqur simptoma – duke konfirmuar dyshimet se autoritetet e Turqisë prej kohësh nuk raportonin shifrat reale të infektimeve.

“Është një çështje shumëdimensionale që përfshin menaxhimin e pandemisë në Turqi dhe vende të tjera, gatishmërinë e sektorit të turizmit, besimin midis vendeve, kompanive ajrore dhe të tjerëve. Ne nuk jemi optimistë për sezonin e ardhshëm”, prfundoi Hacioglu. (reporter.al)