Turqia rikthen Wikipedian pas dy viteve ndalesë

Qeveria turke të mërkurën hoqi një ndalim dy vjeç e gjysmë në Wikipedia, duke rikthyer qasjen e enciklopedisë në internet një muaj pasi gjykata e lartë e vendit vendosi që bllokimi i saj ishte antikushtetues.

Qasja në Wikipedia u bllokua në Turqi në 2017, pasi faqja refuzoi të hiqte referenca të paqarta për marrëdhëniet e Turqisë me militantët sirianë dhe terroristët e mbështetur nga shteti.

Turqia filloi të lejojë hyrjen përsëri në këtë web  të mërkurën, disa orë pasi Gazeta Zyrtare e saj publikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në favor të Wikipedia. Në dhjetor, gjykata kishte konstatuar se ndalimi shkel të drejtën e shprehjes së lirë të mbrojtur në Kushtetutën e Turqisë.

Të mërkurën vonë qasja ishte rikthyer në pjesën më të madhe të vendit, sipas NetBlocks, (një grup që gjurmon përdorimin e internetit dhe sigurinë në internet). Por për ata që mbrojnë lirinë e shprehjes, restaurimi ishte shumë pak, shumë vonë.

“Nuk duhej të shkonte as në Gjykatën Kushtetuese, as në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për një çështje të tillë”, tha Gonenc Gurkaynak, një avokat që përfaqëson fondacionin Wikimedia, duke iu referuar një ankese të dytë të ngritur kundër ndalimi në Evropë.

Rasti është ende në pritje në gjykatën evropiane dhe Can Yeginsu, një avokat me qendër në Londër që përfaqëson Wikipedia tha që do të adresojë si ligjin turk, që lejon ndalimin ashtu edhe procesin e gjatë gjyqësor për ta hequr atë.

Turqia gjithashtu kishte bllokuar YouTube dhe Twitter në 2014, por gjykata kushtetuese e vendit ndërmori veprime të menjëhershme në atë kohë për t’i shpallur ato ndalime jokushtetuese, raporton The New York Times.