Luftanija amerikane "USS Donald Cook" - Foto REL/EPA=EFe

Turqia refuzon ndalimin e anijeve luftarake ruse nëpër ngushticat e saj

Turqia nuk mund ta ndalojë kalimin e anijeve luftarake nëpër ngushticat e saj që çojnë në Detin e Zi, siç ka kërkuar Ukraina, tha ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavusoglu për gazetën turke Hurriyet të premten, duke iu referuar një klauzole në Konventën e Montreux që i lejon anijet të kthehen në bazën e tyre.

Ukraina i bëri thirrje Turqisë që t’i bllokojë anijet luftarake ruse të kalojnë nëpër ngushticat e Dardaneleve dhe Bosforit.

Çavusoglu tha se Turqia është e kufizuar në aftësinë e saj për ta bërë një gjë të tillë.

“Në rastin e një lufte ku Turqia nuk është palë, ka masa që mund të merren në lidhje me vendet që janë palë në luftë”, tha ai.

“Nëse ka një kërkesë që anijet e vendeve ndërluftuese të kthehen në bazat e tyre, atëherë duhet lejuar”, shtoi ai, duke iu referuar Rusisë.

“Rusia kishte klauzolën e saj të futur [në Konventën e Montreux]. Nenet 19, 20 dhe 21 përcaktojnë se nëse anija e një vendi që ndodhet në Detin e Zi dëshiron të kalojë me një kërkesë për t’u kthyer në bazën e saj, kjo i lejohet”, tha Çavuşoğlu.

Çfarë thotë Konventa Montreux?  

Sipas kësaj konvente të nënshkruar në vitin 1936, Turqisë i jepet kontroll mbi kalimin e anijeve nëpër këto dy ngushticat kryesore. Në kohë paqeje, anijet civile mund të kalojnë lirshëm, megjithëse ka kufizime të caktuara për kalimin e anijeve që nuk i përkasin vendeve të Detit të Zi.

Shtetet e Detit të Zi – të cilat, së bashku me Turqinë, Rusinë dhe Ukrainën – përfshijnë gjithashtu Bullgarinë, Gjeorgjinë dhe Rumaninë.

Luftanijet mund të lundrojnë nëpër ngushticat gjatë kohës së paqes, por në kushte që e kufizojnë tonazhin agregat në varësi të faktit nëse janë apo jo një vend i Detit të Zi dhe e kufizojnë kohëzgjatjen e qëndrimit në Detin e Zi për vendet që nuk janë pjesë e Detit të Zi. Ekzistojnë gjithashtu kufizime në kalibrin e armëve që mund ta mbajnë dhe Turqia duhet të njoftohet me kërkesën e bërë prej tyre për kalim./CNN