Policë turq - Foto: EPA-EFE
Turqia planifikon të lirojë 90 mijë të burgosur jopolitikë
Qeveria e Turqisë planifikon të lirojë 90 mijë të burgosur nga burgjet e mbipopulluara si përpjekje për të frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19, por ligji i propozuar përjashton një numër të madh të të burgosurve politikë.
Partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, dhe partneri i saj Partia e Lëvizjes Nacionaliste, MHP, prezantuan një projektligj në Parlamentin turk të martën që kishte për qëllim lirimin e 90 mijë të burgosurve.
Të gjithë të burgosurit mbi 65 vjeç do lirohen nën procedura të mbikëqyrjes.
Sidoqoftë, ata që janë arrestuar pas 1 korrikut 2016 ose për krime seksuale, abuzim me narkotikë, terrorizëm dhe dhunë ndaj grave, janë të përjashtuar nga propozim-ligji.
Sipas Ministrisë së Mbrojtes së Turqisë, 300 mijë njerëz janë për momentin në burg por kapaciteti i burgjeve në Turqi është vetëm për 235 mijë.
Më shumë se 70 mijë njerëz, përfshirë ushtarë, oficerë policie, akademikë, mësues dhe mbrojtës të të drejtave janë arrestuar pas përpjekjes për grusht shtet.
Në mesin e tyre janë edhe 86 gazetarë, politikanë të opozitës që nuk do lirohen.