Turqia ndan një milion dollar donacion për FSK-në
31 milionë lira apo rreth 1 milion dollarë amerikanë i ka ndarë Turqia si donacion për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, ky donacion është pjesë e programit të mbështetjes së jashtme ushtarake të qeverisë turke.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë qenë gjithnjë në nivelet më të larta dhe kontributi i Republikës së Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë i vazhdueshëm si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të pajisjeve ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka falënderuar Republikën e Turqisë për donacionin dhe siguroi që bashkëpunimi ynë i ndërtuar në frymën e besimit të dyanshëm, do të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Turqia si shtet mik mbetet njëri nga partnerët strategjik më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, më 21.08.2024.