Kampet e protestuesve në Stamboll, 2013 - Foto: REL/AFP

Turqia liron 9 aktivistë të akuzuar për protestat në parkun “Gezi”

Një gjykatë në Turqi liroi të martën nëntë persona që u gjykuan për protestat në parkun “Gezi” të Stambollit, më 2013.

Gjykatësi tha se nuk ka prova të mjaftueshme kundër grupit, i cili u akuzua për përpjekje për të rrëzuar qeverinë.

Rasti shkaktoi zemërim të madh në mesin e grupeve të të drejtave të njeriut dhe vendeve perëndimore.

Osman Kavala, biznesmen dhe aktivist i të drejtave të njeriut, kaloi mbi dy vjet në paraburgim.

Gjykatësi urdhëroi të martën lirimin e tij të menjëhershëm.

Në dhjetor, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut tha se Kavala është arrestuar në mënyrë arbitrare dhe kërkoi që ai të lirohej menjëherë.

Protestat më 2013 nisën fillimisht kundër planeve për zhvillimin urbanistik të Parkut Gezi, por u shndërruan më pas në protesta kundër kryeministrit të atëhershëm turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe u përhapën në qytete të tjera të Turqisë.

Disa njerëz u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën në përleshjet me policinë./REL