Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu. - Foto: REL/Reuters

Turqia kundër hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, "do t'i parandalonte njohjet e reja"

Ministria e Jashtme e Turqisë ka kundërshtuar synimin e qeverisë së Kosovës për ta hapur ambasadën në Jerusalem, dy ditë pasi ky shtet i Lindjes së Mesme vendosi marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën, MPJ e Turqisë tha se ka kuptuar nga postimet në rrjetet sociale të Presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministres së jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla se, përveç njohjes së dyanshme me Izraelin, Kosova është zotuar për ta hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

“Është zhgënjyese që një hap i tillë, i cilido të paraqiste shkelje të qartë të të drejtës ndërkombëtare, merret qoftë edhe në konsideratë nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në reagim të MPJ-së së Turqisë.

“Turqia, një nga vendet e para që e ka njohur Kosovën, gjithashtu ka ofruar mbështetje të madhe në përpjekjet për njohje ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi. Megjithatë, nuk e shohim të drejtë që ky proces të ndërtohet kundër të drejtës ndërkombëtare, sidomos mbi vuajtjet e popullit palestinez territoret e të cilit janë nën okupim”, thuhet në deklaratë.

MPJ e Turqisë thotë se është e thënë në shumë rezoluta të OKB-së se konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes vendosjes se një shteti të pavarur e sovran të Palestinës, bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin lindor si kryeqytet i saj.

“Ne i bëjmë thirrje lidershipit të Kosovës të veprojë konform këtyre rezolutave dhe të përmbahet nga aktet të cilat do ta dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe kjo do t’i parandalonte njohjet e reja të Kosovës”, thotë MPJ e Turqisë.