Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu

Turqia ka disa kërkesa ndaj Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO

Turqia mund t’i mbështesë ofertat e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO nëse këto dy vende e ndalojnë mbështetjen e terroristëve dhe i heqin ndalesat e eksporteve. Ofertat që aspirojnë antarësim në NATO kërkojnë miratimin unanim nga të gjithë anëtarët ekzistues për t’u bashkuar me aleancën.

 Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, të dielën i ka marrë në shqyrtim kërkesat për Finlandën dhe Suedinë, të cilat kërkojnë anëtarësimin në NATO në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Duke folur me gazetarët turq pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Berlin, Cavusoglu tha se Suedia dhe Finlanda duhet ta ndalojnë mbështetjen e terroristëve në vendet e tyre, të ofrojnë garanci të qarta sigurie dhe t’ heqin ndalesat e eksportit në Turqi.

Sipas Cavusoglu, Turqia nuk po kërcënonte askënd ose nuk po kërkonte levave, por po fliste veçanërisht për mbështetjen e Suedisë për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Ankaraja e sheh PKK-në si një organizatë terroriste.

Cavusoglu i bëri jehonë një deklarate të mëparshme të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dy ditë më parë, kur tha se Turqia nuk kishte një “mendim pozitiv” për ambiciet e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake, NATO-n.

Erdogan i akuzoi të dyja vendet se strehojnë “organizata terroriste” në vlerësimin e tij të pafavorshëm për ofertat e anëtarësimit.

Turqia i ka akuzuar prej kohësh vendet nordike, veçanërisht Suedinë, se strehojnë grupe ekstremiste kurde, si dhe mbështetës të Fethullah Gulenit, një predikues me bazë në SHBA, i kërkuar për një grusht shteti të dështuar të vitit 2016 në Turqi.

Suedia, në veçanti, ka një komunitet të madh emigrantësh që vjen nga Turqia.

Shumë nga emigrantët janë me origjinë kurde dhe disave iu është dhënë azil politik pas dekadash konflikti sporadik midis grupeve kurde dhe forcave turke të sigurisë./DW