Flamuri i Turqisë, Foto: Pixabay

Turqia ia bllokon NATO-s bashkëpunimin me Izraelin shkaku i luftës në Gazë

Turqia ka bllokuar bashkëpunimin ndërmjet Izraelit dhe NATO-s prej tetorit për shkak të lutës në Gazë dhe ka thënë se aleanca nuk duhet të angazhohet në projekte me Izraelin si partner derisa të marrë fund konflikti, kanë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters burime të informuara me procesin.

Izraeli ka statusin e partnerit të NATO-s dhe kishte fuqizuar lidhjet me aleancën ushtarake dhe disa anëtarë të saj, sidomos me aleaten më të madhe, SHBA-në. Para ofensivës së Izraelit në Gazë – të shkaktuara nga kërdia e grupit militant palestinez “Hamas” kundër izraelitëve më 7 tetor – anëtarja e NATO-s, Turqia, po punonte për të riparuar marrëdhëniet e tensionuara kaherë me Izraelin.

Prej atëherë, Ankaraja ka qenë kritika e ashpër e operacionit të Izraelit në Gazë, për të cilin thotë se përbën gjenocid, dhe ka ndaluar tregtinë bilaterale në të gjitha fushat. Ka qortuar gjithashtu shumë aleatë perëndimorë për përkrahjen e shprehur ndaj Izraelit. Duke folur në kushte anonimiteti për Reutersin, burimet kanë thënë se Turqia ka përdorur veton ndaj të gjitha angazhimit të NATO-s me Izraelin prej tetorit, duke përfshirë takimet dhe ushtrimet e përbashkëta, duke e konsideruar “masakrimin” e palestinezëve në Gazë si shkelje të parimeve themeltare të NATO-s.

Një hulumtim i kryer në qershor nga OKB-ja ka treguar se Izraeli dhe “Hamasi” kanë kryer krime kundër njerëzimit në fazat e para të luftës në Gazë. Hulumtimi tregon se veprimet e Izraelit përbënin krime kundër njerëzimit për shkak të humbjes së madhe të jetës së njerëzve. Izraeli i hedh poshtë pretendimet dhe thotë se operacioni i tij në Gazë, që ka marrë jetën e së paku 40 mijë palestinezëve, synon shfarosjen e “Hamasit”.

Burimet e Reutersit kanë thënë se Turqia do ta vazhdojë bllokadën dhe nuk do të lejojë që Izraeli të avancojë ndërveprimin me NATO-n derisa të mos mbarojë konflikti, meqë beson se veprimet e Izraelit në Gazë përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave universale të njeriut. Pas samitit të NATO-s në Uashington në korrik, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se nuk ishte e mundshme që NATO-ja të vazhdonte partneritetin me administratën izraelite. Në fillim të javës, ministri i Jashtëm izraelit i bëri thirrje aleancës që ta dëbonte Turqinë pasi Erdogani duket se kërcënoi të futej në Izrael, sikur se ka bërë në Libi dhe Nagorno-Karabah më herët./Reuters

Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com