Turqia i kërkon Shqipërisë ekstradimin e biznesmenit, Faruk Fatih Ozer

Policia turke ka ndaluar 62 persona si pjesë e një hetimi për shkëmbim të kriptovalutave, të cilët po akuzohen për mashtrim të investitorëve, njoftoi agjencia shtetërore të lajmeve të Turqisë.

Arrestimet u bën për lidhjen e tyre me komaninë Thodex, e kryesuar nga biznesmeni i arratisur, Faruk Fatih Ozer, ndaj të cilit autoritetet turke kanë lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar.

Zyra e kryeprokurorit të Stambollit njoftoi se po e heton kompaninë Thodex pas ankesave nga përdoruesit të cilët nuk mund të qaseshin në pasuritë e tyre. Vlerësohet se mashtrimi i kësaj kompanie ka prekur rreth 391.000 persona me rreth 2 miliardë dollarë investime.

Faruk Fatih Ozer, po kërkohet me akuzën e “mashtrimit duke përdorur sistemet e informacionit, bankat ose institucionet e kreditit dhe krijimin e një organizate kriminale”, njoftoi agjencia e lajmeve Anadolu.

Zyrtarët turq publikuan një foto të Ozer duke kaluar kontrollin e pasaportave në aeroportin e Stambollit. Burimet e sigurisë më vonë konfirmuan se Ozer – që thuhet të jetë 27 vjeç – ka qenë në Shqipëri që nga e marta, raporton agjencia AFP.

Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurat ligjore për të kërkuar nga Tirana arrestimin dhe ekstradimin e tij, njoftoi Anadolu. Në lidhje me rastin, ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu ka biseduar përmes telefonit me homologun e tij shqiptar, Bledi Çuçi.

Pronari i Thodex, Faruk Fatih Ozer mohoi akuzat në një deklaratë në Twitter. Ai tha se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh.

Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik. Ozer gjithashtu tha që pretendimet se paratë ishin zhdukur ishin të pavërteta.

Banka qendrore e Turqisë tha javën e kaluar se do të ndalojë përdorimin e kriptovalutave në pagesa për mallra dhe shërbime duke filluar nga 30 prill.

Banka paralajmëroi që kriptovalutat “sjellin rreziqe të konsiderueshme” sepse tregu është i paqëndrueshëm dhe nuk ka mbikëqyrje. REL