Parlamentin Evropian Mrena, Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Turqia duhet ta ulë tonin për ta shmangur izolimin, thotë zyrtari i lartë evropian

Turqia është izoluar ndërkombëtarisht dhe duhet ta ulë tonin, nëse dëshiron të fitojë koncesione të rëndësishme nga Bashkimi Europian, tha një zyrtar i lartë evropian të mërkurën.

Nacho Sanchez Amor, raportuesi për Turqinë në Parlamentin Europian, tha se gjuha e vrazhdë e Ankarasë për politikat e jashtme është njëri prej pengesave kryesore në përmirësimin e marrëdhënieve të saj me Brukselin.

Turqia synon ta thjeshtëzojë qasjen në vizat evropiane për qytetarët e vet dhe ta përditësojë një marrëveshje doganore me BE-në të vitit 1995, i cila do të mundë t’i ndihmonte në rritjen e eksportit.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, rekomandoi javën e kaluar që Turqisë t’iu plotësohen këto dy kërkesa në këmbim të disa koncesioneve. Ankarasë i kërkohet të bëjë më shumë për çështjen e ishullit të ndarë të Qipros dhe ta luftojë shmangien e sanksioneve kundër Rusisë.

“Të përmbahesh nga përdorimi i një toni agresiv, një toni kërcënues, është e lehtë dhe nuk kushton”, tha Sanchez Amor në Stamboll.

“Ju jeni plotësisht të izoluar. Azerbajxhani është miku juaj i vetëm i vërtetë”, theksoi ai.

Turqia e fitoi statusin e vendit kandidat për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian në vitin 1999.

Por, procesi është ngrirë prej vitit 2018, për shkak të shqetësimeve të bllokut për të drejtat e njeriut në Turqi dhe politikës së jashtme të Ankarasë./REL