(Arkiv)

Turqia do të ndërpresë ofensivën në Siri për ‘120 orë’

Turqia do ta ndërpresë ofensivën e saj në veri të Sirisë për 5 ditë dhe do t’i japë fund nëse forcat kurde tërhiqen nga ky sektor gjatë këtij afati, ka njoftuar sot zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence në Ankara.

“Për të mundësuar një tërheqje të forcave kurdë, brenda 120 orëve, të gjitha operacionet ushtarake në kuadër të operacionit ‘Burimi i Paqes’ do të ndërpriten dhe operacioni do të ndërpritet plotësisht porsa kjo tërheqje të përfundojë”, ka deklaruar Mike Pence për mediat pas më shumë se katër orë bisedimesh me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, raporton Le Figaro.

Forcat kurde do të tërhiqen nga një sektor në një thellësi prej 32 km për t’u shndërruar më pas kjo zonë në një “zonë e sigurisë”.

Shefi i diplomacisë turke Mevlut Cavusoglu e ka konfirmuar këtë marrëveshje.

“Ne e ndërpresim operacionin, ne nuk do ta ndalim”, ka deklaruar ai për mediat.

“Ne mund ta ndalim operacionin vetëm kur (forcat kurde) do të tërhiqen tërësisht nga rajoni”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, Donald Trump e ka përshëndetur këtë lajm, duke vlerësuar se është një “ditë e rëndësishme” për Shtetet e Bashkuara, Turqinë dhe kurdët.