Turqia do ta mbështesë Kosovën për anëtarësimin në NATO

Turqia do ta mbështesë Kosovën në procesin e anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, NATO.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare në Turqi, ka thënë se është siguruar nga ministri Hulusi Akar që do e mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe, në NATO, dhe në Këshillin e Evropës.

“Ministri Akar më siguroi se do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe, në NATO, në Këshillin e Evropës, në të cilin Kosova ka aplikuar para gjashtë ditësh, si dhe në organizatat e tjera rajonale dhe më gjerë”, ka thënë Mehaj.

Mehaj tutje ka thënë se gjatë takimit ka falënderuar ministrin për rolin dhe kontributin e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, në ndërtimin dhe zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Gjatë vizitës me homologun e tij, Mehaj ka biseduar edhe për bashkëpunimin reciprok dhe përkrahjen e Turqisë për Kosovën.

“Në takim biseduam lidhur me bashkëpunimin e mirë të deritanishëm në mes të dy ministrive, theksuam nevojën për intensifikim të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy ministrive të mbrojtjes dhe të dy forcave tona, që është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka njoftuar ai.

Sipas njoftimit, dy ministrat kanë biseduar edhe për zhvillimet gjeopolitike, pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe ndikimit të tij në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Me 12 maj Koosva zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Finlanda dhe Suedia sot zyrtarisht kanë aplikuar që të anëtarësohen në aleancën e NATO-s. Përfaqësuesit e dy shteteve kanë dorëzuar aplikimet në selinë e aleancës në Bruksel.

Vendimi i dy shteteve nordike, që kanë qenë neutrale, u nxit pas shqetësimeve të sigurisë për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Pavarësisht se procesi i pranimit pritet të marrë kohë disa javë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po kundërshton anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës.

Nëse tejkalohen shqetësimet që ka Turqia dhe nisin bisedimet e anëtarësimit, atëherë këto dy shtete mund të bëhen anëtare brenda muajsh. Procesi zakonisht merr kohë tetë deri në 12 muaj, por NATO dëshiron që të lëvizë shpejt, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia për këto dy shtete nordike.