Flamuri i Turqisë, Foto: Pixabay
Turqia dënon sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, shpreh gatishmërinë për t'i ofruar ndihmë Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka deklaruar se e dënojnë fuqishëm sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, që ndodhi më 29.11.2024.
Në një komunikatë për media, ministria thotë se shpresojnë që autorët të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë sa më shpejtë të jetë e mundur.
“E dënojmë fuqishëm sulmin e djeshëm (29 nëntor) në një kanal ujor në Zubin Potok në veri të Kosovës, i cili është kritik për furnizimin me ujë dhe energji elektrike të Kosovës. Shpresojmë që autorët e sulmit të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur”- thuhet në komunikatë.
Ministria e Jashtme turke ka shprehur gatishmërinë për të ofruar çdo ndihmë që Kosova mund të ketë nevojë, teksa u ka bërë thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin në rajon.
“Shfrytëzojmë këtë rast për të shprehur solidaritetin tonë me Kosovën dhe gatishmërinë tonë për të ofruar çdo ndihmë që mund të ketë nevojë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin në rajon”- theksohet në njofim.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orekstruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit