Gjendja pas tërmetit tragjik në Turqi, Foto: CNN

Turqia bllokon Twitter-in pas kritikave publike për reagimin ndaj tërmetit

Pas kritikave për reagimin e ngadaltë të autoriteteve zyrtare ndaj tërmeteve të së hënës, qeveria turke ka bllokuar shumicën e qasjes në Twitter – një burim kryesor komunikimi për të afërmit e viktimave, të mbijetuarit dhe aktivistët e ndihmës, raporton Ballkan Insight.

Qeveria turke ka bllokuar shumicën e qasjes në Twitter pas zemërimit në rritje të publikut ndaj reagimit të Qeverisë së presidentit Rexhep Taip Erdogan ndaj tërmeteve vdekjeprurëse të së hënës.

“Twitter është kufizuar në Turqi, filtrimi zbatohet në ofruesit kryesorë të internetit dhe vjen pasi publiku fillon të mbështetet në shërbimin pas një serie tërmetesh vdekjeprurëse” – njoftoi NetBlocks, një observator interneti që ndjek liritë e rrjeteve globale.

Njerëzit tani nuk mund të hyjnë fare në Twitter përmes dy nga tre ofruesit kryesorë të internetit. TurkTelekom dhe Turkcell kanë bllokuar plotësisht qasjen. Vodafone ende lejon qasje më të ngadaltë në Twitter.

Disa ditë pas tërmetit në Turqi, qeveria deri më tani nuk ka arritur të ofrojë ndihmë në disa zona të shkatërruara nga dy tërmete të mëdha me magnitudë 7.9 dhe 7.7 të shkallës Rihter, duke lënë mijëra të vdekur.

Qeveria nuk ka njoftuar apo komentuar ndalimin e Twitter. Qeveria më parë kufizoi qasjen në mediat sociale pas fatkeqësive, sulmeve terroriste dhe protestave.

Përgatiti: Arta Sopi