Turqi: zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare mbahen më 14 maj

Zgjedhjet e majit priten të jenë shansi më i mirë i opozitës turke për ta rrëzuar presidentin Recep Tayyip Erdogan i cili e mban pushtetin në Turqi që prej 20 vitesh.

Turqia do t’i mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 14 maj, njoftoi zyrtarisht presidenti i vendit Recep Tayyip Erdogan.

Këto zgjedhje mund të jenë vota më e rëndësishme e vendit në dekada, me qeverisjen dy dekadashe të Erdoganit të Turqisë e cila mund të jetë në rrezik të një rezultati të pakënaqur nga Erdogani.

Opozita është bashkuar rreth Kemal Kilicdaroglu, udhëheqësit të partisë së dytë më të madhe në parlament, Partisë Popullore Republikane (CHP).

Megjithatë, një tjetër udhëheqëse e shquar e opozitës, Meral Aksener, fillimisht e kundërshtoi kandidaturën e Kilicdaroglu si kryeministër, duke shprehur dyshimet e saj javën e kaluar nëse ish-burokrati, i konsideruar nga disa si jokarizmatik, mund të mundte Erdoganin.

Të hënën, Aksener e bëri të ditur mbështetjen e saj për Kilicdaroglu.

Erdogan, popullariteti i të cilit është zbehur ndërkohë që kriza ekonomike e Turqisë vazhdon, është akuzuar për autoritarizëm nga kundërshtarët e tij.

Reagimi i qeverisë së tij ndaj tërmeteve shkatërruese të shkurtit në juglindje të Turqisë, të cilat lanë të vrarë më shumë se 46,000 njerëz dhe qindra mijëra të jetonin në tenda ose strehim të përkohshëm, gjithashtu është kritikuar, megjithëse Erdogan i ka mbrojtur veprimet e qeverisë.

Erdogan, i cili ka qenë lider i Turqisë që nga viti 2003 dhe e mban postin e presidentit që nga viti 2014, ende ruan mbështetje të konsiderueshme dhe mund të dalë ende i pari në zgjedhjet e majit, përkrah Partisë së tij AK./Al Jazeera

Përgatiti: Nuhi Shala