Turqi, mospajtime në frontin opozitar turk për kandidatin potencial kundër presidentit Erdogan

Tensionet në koalicionin opozitar të Turqisë janë rritur premten, pikërisht në kohën kur gjashtë partitë opozitare po përpiqeshin të dakordoheshin për një kandidat të përbashkët për ta sfiduar Presidentin Recep Tayyip Erdoğan në zgjedhjet e ardhshme nën qeverisjen e tij 20-vjeçare.

Nëse palët nuk mund t’i tejkalojnë ankesat e tyre në ditët në vijim, çarja në kampin e tyre ka të ngjarë të shkojë në favor të Erdoganit, i cili shihet si jashtëzakonisht i cenueshëm për shkak të inflacionit dyshifror dhe kritikave për reagimin e tij ndaj tërmeteve shkatërrues muajin e kaluar ku mbetën të vrarë dhjetëra mijëra persona.

Një anëtare kyçe e koalicionit, udhëheqësja e ‘Partisë së Mirë’ (İyi Parti) e krahut të djathtë (IYI), Meral Akşener, njoftoi se do të largohej nga aleanca, duke thënë se ajo “e ka humbur aftësinë për ta përfaqësuar vullnetin e kombit”.

Çarjet në aleancën e gjerë, e cila i bën bashkë partitë nga e majta në të djathtë, filluan të shfaqen të enjten, kur gjashtë partitë u takuan për të diskutuar zgjedhjen e tyre për një kandidat të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe nuk arritën të marrin vendim për një emër.

Të premten, Akşener shprehu preferencën e saj për kryebashkiakun e Ankarasë Mansur Yavaş, ose kryetarin e profilit të lartë të Stambollit, Ekrem Imamoğlu, në vend të udhëheqësit të partisë kryesore opozitare, Kemal Kılıçdaroğlu, i konsideruar si favorit për vendin.

Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme turke, të planifikuara për 14 maj, premtojnë të jenë një nga zgjedhjet më të rëndësishme strategjike të vitit në botë.

Rezultati do të shikohet me vëmendje ndërkohë që vëzhguesit kërkojnë të përcaktojnë nëse Erdogan – i cili po kalon në një periudhë të vështirë politike për luftën e Rusisë kundër Ukrainës – do ta shtyjë vendin prej 85 milionë banorësh në një drejtim më tradicionalist, fetarisht konservator, apo nëse një udhëheqës i ri do të të jetë në gjendje t’i rivendosë marrëdhëniet e dëmtuara me Perëndimin.

Një nga dilemat qendrore për opozitën ka qenë nëse do ta mbështeste Kılıçdaroğlun, një ish-burokrat 74-vjeçar dhe i nënvlerësuar që ka udhëhequr Partinë Popullore Republikane (CHP) të qendrës së majtë për më shumë se një dekadë, ndaj anëtarit të tij partiak, kryebashkiakut Stambollit Imamoğlu.

I mbiquajtur “Gandhi turk” për strukturën e tij të lehtë dhe stilin e përulur, Kılıçdaroğlu vlerësohet gjerësisht për sukseset e fundit elektorale të partisë së tij.

Megjithatë, analistët e kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e Kılıçdaroğlu për ta paraqitur një sfidë të vërtetë për Erdoganin dhe fitoret e tij politike nuk kanë arritur të materializohen në vlerësimet e tij të pëlqimit. Sipas sondazheve të fundit, vetëm 40 për qind e popullsisë turke ishte e kënaqur me kandidimin e tij si lideri kryesor i opozitës.

Shumë besojnë se Imamoğlu, 52 vjeç, i cili i dha fund 25 viteve të qeverisjes së AKP-së në Stamboll kur u zgjodh në vitin 2019, mund ta kishte bërë një kandidat më dinamik.

Mirëpo kryebashkiaku i Stambollit u dënua me 31 muaj burg dhjetorin e kaluar për fyerje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, duke i penguar shanset e tij për të kandiduar.

Imamoğlu e ka quajtur vendimin e gjyqit “një shaka”, por tha se ende kishte besim në sistemin e drejtësisë të vendit.

Ai e ka apeluar aktgjykimin dhe tani për tani qëndron në detyrë. Por vendimi përfundimtar i gjykatës mund të vijë përpara zgjedhjeve – dhe, nëse dënohet, ai nuk do të mund të kandidojë, duke e lënë opozitën pa një kandidat kryesor.

Mospajtimi i së premtes ka shkaktuar tronditje në koalicionin opozitar dhe ka bërë që pesë partitë e mbetura të mbajnë takime urgjente të premten pasdite./Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala