Ilustrim

Turbullirë të ujit në kanalin e Ibrit, KRU Prishtina njofton se cilat qytete do të kenë reduktime të ujit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’, ka njoftuar se si pasojë e trubullirës së ujit në kanalin e Ibrit për shkak të vërshimeve, qytetet si Drenasi, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Prishtina do të kenë reduktime të ujit.

Në qytetin e Drenasit, ujësjellësi ka bërë të ditur se sot furnizohet me ujë nga ora 06:00 deri në ora 11:00. Pas kësaj ore do të ketë akumulim, për të rikthyer furnizimin me ujë në orët e darkës.

“Pikat e larta në Drenas që nuk janë furnizuar me ujë nga sistemi i furnizimit, kanë autobotin (auto cisternën) si alternativë për situatën që po kalojmë” – thuhet në njoftim.

Përderisa pika në Shkabaj është jashtë funksionit, KRU Prishtina bën të ditur se Fushë Kosova me zonë industriale, lagjia Kalbaria, Obiliqi janë duke u furnizuar me alternative të tjera.

Për këtë arsye, në këto zona do të ketë reduktime të ujit edhe sot nga ora 10:00 deri në 16:00. Ndërsa nga ora 16:00 deri në 20:00 do të ketë furnizim me ujë.

“Për të vazhduar edhe ditën e nesërme me të njëjtin orar, vetëm se furnizimi për ditën e nesërme fillon në ora 05:00 në mëngjes. Për zonat e Kryeqytetit, reduktime jemi shtrënguar të aplikojmë nga ora 23:00-5:00, përveç qendra e qytetit, QKUK, QKMF-të, Dardania” – thuhet tutje në njoftim.

KRU Prishtina ka thënë se një situatë e tillë vazhdon deri në  përmirësimin e situatës me turbullirë në kanal.