Turbullim i ujit, pritet ndëprerje në Fushë Kosovë, Obiliq e Drenas

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të ujit në Fushë Kosovë dhe në Lagjen “Kalabria”

Kjo për shkak të ndotjes në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, e cila është jashtë kapaciteteve të kësaj kompanie për trajtim.

Sipas KRU “Prishtina” kjo turbullirë është si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditëve të fundit, janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj të njëjtat në disa raste kanë përfunduar te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për tu trajtuar pastaj për pije ( FPU Shkabaj).

“Si shkak i kësaj, kemi rritje të turbullirës, nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë. Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar të nderprejmë furnizimin me ujë të pijshëm , duke filluar nga ora 09:30 për Fushë Kosovën dhe lagjen “ Kalabria ” në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e kompanisë së ujësjellësit.

Gjithashtu, uji do të ndalet edhe në Obiliq dhe Drenas, ndërsa ujësjellësi ka thënë se në momentin që trajtohet uji do të të kthehet në normalitet.