Tunë Kçira, Hil Kaçinari dhe disa të tjerë arrestohen për bixhoz

Gjashtë persona janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nga ana e Policisë së Kosovës për pjesmarrje  dhe organizim të lojërave të fatit.

KALLXO.com mëson se të arrestuarit janë Tunë Kçira, Hil Kaçinari, Pater Berisha, Shpejtim Kastrati, Kadri Krasniqi dhe Safet Kyçyku.

Gjithashtu KALLXO.com ka siguruar edhe kërkesën për paraburgim të Prokurorisë Themelore të Prizrenit nga gjashtë të arrestuarve.

Kçira njihet në Prizen si akuzuar në dosjen për fajde të njohur si Kristal.

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgimin për 30 ditë ndaj Kçirajt, Kaçinarit, Berishës, Kastratit, Krasniqit e Kyçykut në të cilën shpjegohen edhe veprat ndaj të dyshuarve.

Në dosje thuhet se Kçiraj, Kaçinari, Berisha, Kastrati, Krasniqi e Kyçyku u hasën nga policia duke organizuar lojëra të fatit.

Gjatë këtij operacioni, janë konfiskuar letrat e bixhozit dhe disa shuma të parave.

Sipas dosjes tek  Tunë Kçira janë gjetur 450 euro, nga Hil Kaçinari janë konfiskuar 3 mijë e 190 euro, nga Pater Berisha 2 mijë e 611 euro, nga Safet Kyçyku 243 euro, 20 dollarë dhe 23 mijë e 400 lekë, nga Kadri Krasniqi 103 euro dhe nga Shpejtim Kastrati 827 euro.

Përpos bixhozit ndaj të dyshuarve rëndon edhe dyshimi për  veprën penale të mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidëmisë, vepër kjo e përcaktuar me Kodin Penal.

KALLXO.com ka tentuar të flas edhe me Prokurorin e rastit, Petrit Kryeziu por i njëjti nuk ka pranuar të flas në lidhje me këtë rast.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se gjykimi ndaj grupit të Tunë Kqirajt, i njohur si rasti ‘Kristali’ gjendet nga 9 shtatori 2019 në Gjykatën e Apelit me ankesë të prokurores së rastit Merita Rugova dhe avokatëve të të akuzuarëve.

Nga 9 shtatori 2019 e deri sot kanë kaluar 216 ditë apo 6 muaj e 24 ditë dhe  Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim lidhur me këtë çështje penale.

Rasti ’Kristal’ është njëri ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

Të akuzuar në këtë rast janë Tunë, Marjan, Gjekson, Gëzim, Kastriot e Gjon Kqira, Edison Oma dhe Benson Buza të akuzuar për veprat penale krim i organizuar lidhur me veprat penale organizim i skemave piramidale dhe bixhoz te paligjshëm, detyrim, fajde, armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prizrenit me 24 maj 2019, kishte marrë aktgjykim dënues me të cilin Tunë Kqirajn e kishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim për veprën penale organizim i skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm.

Tunë Kqira me 1 mijë e 500 euro gjobë ishte dënuar për veprën armëmbajtje pa leje.

Kanë kaluar 216 ditë, Apeli ende nuk ka vendosur në rastin e shënjestruar ‘Kristali’