Foto: Facebook/ Lëvizja Vetëvendosje

Tubimi publik i Vetëvendosjes, policia thotë se do ta mbajë rendin

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se tubimi publik i Lëvizjes Vetëvendosje i paralajmëruar për ditën e nesërme në ora 17:00, është lajmëruar në polici.

Në njoftim, Policia ka thënë se e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Si dhe janë bërë përgatitjet e nevojshme, për mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit.

“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike,  shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet dhe masat e parapara ndaj pandemisë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Në fund të komunikatës, policia thotë se do të vazhdojë të jetë profesionale, duke respektuar të drejtat e qytetarëve dhe duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore.

Lëvizja Vetëvendosje për ditën e nesërme ka paralajmëruar një tubim publik në ora 17:00 në sheshin ‘Skendërbeu’ në Prishtinë, për të shënuar 15 vjetorin e themelimit dhe 21 vjetorin e çlirimit të vendit.

Video mesazhi i ri i Albin Kurtit, ftesë për tubimin në sheshin “Skenderbeu”