Tubimi në shkollë përplas DKA-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje në Viti

Lëvizja Vetëvendosje  në Viti po pretendon se qeverisja e Sokol Halitit të Lidhjes Demokratike të Kosovës , ia ka pamundësuar që të mbajë tubimin e mbrëmshëm brenda ambienteve të shkollës fillore dhe të mesme të ulët, “Dëshmorët e Vitisë” në Drobesh.

Në një video të publikuar nga Televizioni Plus, shihet se kandidatët për deputetë, Nijazi Isaku Mirlinda Tishukaj-Sadiku dhe Glauk Konjufca mbajtën tubimin me qytetarë në oborrin e kësaj shkolle.

Me këtë rast Konjufca ka thënë se mbyllja e dyerve nuk mund ta ndalë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këta prej faktit që u munduan ta ndalin Albin Kurtin për mos me kandidu në zgjedhje e deri këtu që po na mbyllin dyert e shkollave, që i kemi ndërtuar vet me mundin tonë e me tatimet e qytetarëve, këta kot e kanë se Albin Kurti edhe është në zëmrën e juaj, dhe LV do ti fitoj zgjedhjet me 14 shkurt”, ka thënë mbrëmë Konjufca.

E ndaj pretendimeve të LV-së për mbyllje të derës së shkollës për tubim elektoral, ka reaguar Komuna e Vitisë, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, të cilët kanë thënë që pretendimet janë të pabaza.

“Pretendimet e LVV-së se gjoja i’u është mohuar e drejta e shfrytëzimit të shkollës së mesme të ulët në fshatin Drobesh nuk qëndron, meqë LVV nuk ka parashtruar ndonjë kërkesë paraprake për tubim. Ne si DKA asnjëherë nuk u’a kemi mohuar askujt të drejtën mbi shfrytëzimin e objektit, të drejtë të cilën LVV-ja e ka shfrytëzuar edhe në shkolla të tjera por gjithnjë duke paralajmëruar kompetentët dhe përgjegjësit e shkollës”, thuhet në reagimin në facebook.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë pritet të mbahen më 14 shkurt, të dielën. Partitë politike edhe sot kanë vazhduar mbajtjen e fushatës zgjedhore, nëpër sheshe, restauronte e shkolla.

Në bazë të një memorandumi të vitit 2017 mes Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), dhe në bazë të nenit 3 të këtij memorandumi lejohen shfrytëzimi i hapësirave shkollore për tubime politike.

“Lejohet shfrytëzimi objekteve shkollore për qëllime te tubimeve publike, vetëm në ato raste, ku nuk pengohet procesin mësimor”, thuhet në memorandum.