'Tubim patriotik' në Podgoricë nga mbështetësit e Gjukanoviqit

Në Sheshin e Pavarësisë në Podgoricë po mbahet “tubim patriotik”, për siç thanë organizatorët, mbrojtjen e Malit të Zi si shtet të pavarur.

Qytetarët nga komunat e tjera kanë arritur në kryeqytetin malazez, ku dhe u krijuan kolona të gjata veturash, që bartnin protestuesit.

Tubimi, siç u tha, u organizua nga një grup i organizatave patriotike malazeze. Policia nuk tha nëse është lejuar ky tubim dhe cilat janë organizatat patriotike që qëndrojnë pas këtij organizimi.

Ftesë për dalje në këtë tubim ka bërë Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, përmes platformave zyrtare të partisë.

Më 1 shtator, zëdhënësi i kësaj partie, Millosh Nikoliq tha se partia nuk ishte organizatori i tubimit, por se ishin “organizata të caktuara patriotike” që nuk ishin të lidhura me partinë.

Koalicioni opozitar “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb, tha më 5 shtator se, sipas informacioneve që posedojnë, incidente me “pasoja tragjike” mund të ndodhin në “tubimin patriotik” dhe se udhëheqësit e ndërmarrjeve publike dhe ata që janë pranë Partisë Demokratike e Socialistëve, “po detyrojnë punonjësit të marrin pjesë në tubim”. Koalicioni u bëri thirrje mbështetësve të tij që të qëndrojnë në shtëpi.

Të dielën, drejtoria e policisë njoftoi se nuk kishte ndonjë informacion se mund të kishte incidente ose prishje të rendit dhe paqes në tubimin në Podgoricë.

Një tubim i ngjashëm u organizua më 3 shtator në Cetinje. Ky është tubimi i dytë që po mbahet në Podgoricë që nga zgjedhjet e 30 gushtit, në të cilin partia e Millo Gjukanoviqit humbi shumicën e saj në parlamentin malazez pas 30 vjetësh./REL