Trusti thotë se 218 mijë qytetarë kanë aplikuar për tërheqjen e 10%

Fondi i Kursimeve Pensionale ka njoftuar se për tërheqjen e 10% të kontributeve të premten janë bërë 218 mijë aplikime.

“Me dhjetëra mijëra aplikime nuk u realizuan sepse kishin probleme me verifikim të llogarive bankare. Nuk ishte në dorën tonë kjo por zgjidhje do të bëjmë”, thuhet në njoftimin e Trustit.

Fillimi i këtij procesi u shënua me disa probleme kryesisht për shkak të pamundësisë së qasjes së qytetarëve të uebfaqen e Trustit. Por, drejtori i këtij institucioni, Adrian Zalli, i tha Radios Evropa e Lirë të premten se të dhënat e kontributpaguesve në Kosovë nuk janë cenuar.

Më herët gjatë ditës së premte, Ruzhdi Morina, nga ky institucion kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se faqja online e Trustit ka qenë cak i sulmeve kibernetike.

Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar, por edhe në bazë të vlerës së pagës që marrin.

Aplikimi online do të zgjasë katër muaj.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit./REL