Trusti Pensional: Nuk ka ende asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10%-shit

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar se nuk ka asnjë vendim të Qeverisë për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale.

Trusti përmes një sqarimi ka treguar se ka pranuar ditët e fundit numër të lartë kërkesash për çështjen e 10%-shit, që është deklaruar nga Qeveria e Kosovës se do t’u lejohet kontribuuesve t’i tërheqin nga Trusti.

“Ju njoftojmë se NUK KA ende asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10%-shit, andaj nuk ka mundësi askush ende t’i tërheq mjetet nga Trusti. Ne do t’u njoftojmë me kohë për çdo ndryshim. Ju lutemi, po ashtu, të shmangni vizitat në zyrat tona për çështjen e 10%-shit, pasi kështu po vështirësohet tejet shumë shërbimi i kontribuuesve, kjo për shkak të kufizimeve që janë në fuqi nga pandemia e COVID-19”, thuhet ne njoftimin e Trustit.