Trusti ka mbyllur vitin e kaluar me 227 milionë euro fitime
Kryesuesi i Bordit të Fondit Pensional të Kursimeve, Ruzhdi Morina, tha sot se vitin e kaluar Trusti e ka mbyllur me 227 milionë euro kthime dhe sipas tij, është vlera më e madhe që e ka arritur Trusti ndonjëherë.
“Fondi ka mbyllur vitin me një kthim 11% apo 227 milionë euro që ishte vlera më e madhe që ka arritur Trusti që ma themelimi dhe ne besojmë që kemi arritur qëllimin tonë. Kemi thënë se 2022 se do të jete një vit i vështirë ekonomik që u shfaq me rritjen e çmimeve dhe inflacion. Lufta në Ukrainë ka ndikuar në investimet në Trust”, tha Morina gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Morina tha se kanë arritur që nga rënia prej 90 milionë eurove, të rikuperojnë 50 milionë prej tyre.
“Këto investime janë treguar te suksesshme pra aktualisht nga 90 milionë sa ishte rënia kemi rikuperuar pjesën me te madhe, rreth 50 milionë euro. Synimet dhe politikat e fondit janë afatgjatë dhe në një periudhë afatshkurtër mund te kemi rënie të vlerës së investimeve”, tha ai.
Në vitin 2021 sipas të dhënave, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.
Ditë më parë, Partia Demokratike e Kosovës bëri të ditur se ka dërguar në Kuvend projektligjin për plotësim-ndryshim të Ligjit për fonde pensionale, për çështjen e tërheqjes edhe një sasie të caktuar nga Trusti.
Mirëpo, subjekti politik më i madh në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nuk do ta mbështesë këtë propozim të PDK-së.
Një nismë e tillë për tërheqje të mjeteve në Trust, ishte marrë nga Qeveria e kaluar me kryeministër Avdullah Hotin. Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera.
Tjetër mësymje parave të Trust-it, si shkoi nisma e vitit 2020