Trupi i pajetë i gjetur në një pyll në Gjilan, ishte zhdukur që nga 24 marsi

Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com ka raportuar se një trup i pajetë ishte gjetur në një pyll në mes të fshatrave Llofcë dhe Burincë të Komunës së Gjilanit.

Njësiti i Kërkim Shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, kanë njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arritur që të gjejnë trupin e pajetë të B. O. ky i fundit i zhdukur që nga 24 marsi i këtij viti.

“Pavarësisht terrenit të papërshtatshëm dhe të vështirë malor, sot rreth orës 13:00 në afërsi të lumit Llapushnicë në mes të fshatrave Llofcë dhe Burincë të Komunës së Gjilanit, njësiti i kërkim shpëtimit të FSK-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës arriti të bëjë tërheqjen e trupit të pajetë”, thuhet në njoftim të FSK-së.

Gjithashtu FSK ka njoftuar se trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Gjendet një trup i dekompozuar në një pyll në Gjilan

KALLXO.com kishte raportuar edhe më parë për angazhimin e Policisë së Kosovës për kërkimin e B. O. pas raportimit se ishte zhdukur.

Foto: Ekipet policore në kërkim të një personi të zhdukur