Foto: KALLXO.com

Trupi i njërit prej të vrarëve në Klinë ende në vendin ku ndodhi ngjarja

Dy persona mbetën të vdekur pas të shtënave me armë zjarri në qendër të Klinës, teksa një person ra në prangat e Policisë së Kosovës si i dyshuar për këtë rast.

E gjithë ngjarja ndodhi në një lokal në sheshin “Mujë Krasniqi”, e siç bëhet e ditur nga burimet e KALLXO.com, trupi i njërit prej viktimave është ende në vendin ku ndodhi ngjarja.

Pamjet që ka siguruar KALLXO.com tregojnë se në afërsi të lokalit ku ndodhi rasti janë ende ekipet e Policisë. Në vendin e ngjarjes u panë edhe ekipe të Forenzikës.

Për rastin që ndodhi sot, më 13.11.2024, para mediave u deklaruan prokurorja e Prokurorisë së Pejës, Sahide Gashi dhe drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, kolonel Shaban Shala.

Të pyetur se cilat janë motivet e këtij rasti tragjik, prokurorja dhe drejtori i Policisë thanë se ende nuk dihet se çka çoi te ky rast.

Ata thanë se është arrestuar i dyshuari.

Shala deklaroi se viktimat dhe i dyshuari janë të rinj në moshë.

“Ende është herët, nuk kemi informacione se cilat janë motivet” – tha ai.

Në anën tjetër, prokurorja Gashi deklaroi se janë duke mbledhur prova dhe janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes.

“Trupat e viktimave është urdhëruar që të dërgohen për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë” – theksoi prokurorja.

Tutje ajo shtoi se detajet e tjera do të bëhen publike ditëve në vijim duke thënë se është shumë herët për të dhënë çfarëdo mendimi apo konstatimi për motivet.