Trupi i një peshkatari australian të zhdukur gjendet brenda një krokodili

Mbetjet trupore të një burri australian, i cili u zhduk duke peshkuar me miqtë, janë gjetur brenda një krokodili.

Kevin Darmody, 65 vjeç, është parë për herë të fundit në Kennedy’s Bend – një habitat i njohur i krokodilit të ujit të kripur në një pjesë të largët të Queensland-it verior – të shtunën.

Pas një kërkimi dyditor në këtë zonë, policia i eutanizoi dy krokodilë të mëdhenj dhe gjeti pjesë të trupit të njeriut.

Policia tha se ishte një “fund tragjik” për zotin Darmody. Do të kryhet një proces zyrtar identifikimi.

Darmody ishte një peshkatar me përvojë dhe një anëtar i njohur i komunitetit në Cape York.

Dy krokodilët, të cilët ishin 4.1 m dhe 2.8 m të gjatë, u qëlluan për vdekje të hënën rreth 1.5 km nga vendi ku Darmody u pa për herë të fundit.

Mbetjet njerëzore u gjetën brenda vetëm njërit prej krokodilëve, mirëpo zyrtarëte kafshëve të egra besojnë se të dy ishin të përfshirë në incident.

Peshkatarët që ishin me zotin Darmody në atë kohë nuk e panë sulmin e krokodilave mirëpo patën raportuar se e kishin dëgjuar teksa bërtiste.

Krokodilët janë të zakonshëm në veriun tropikal të Australisë, ndonëse sulmet janë të rralla. Vdekja e Darmody është vetëm sulmi i 13-të fatal në Queensland që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në 1985.

Një peshkatar u vra nga një krokodil në rrethana të ngjashme në ishullin Hinchinbrook të Queensland në vitin 2021, dhe pati gjithashtu sulme fatale në veriun e largët të shtetit në vitet 2017 dhe 2016.

Që nga ndalimi i gjuetisë në vitin 1974, popullsia e krokodilëve në Queensland është rikthyer nga një numër prej rreth 5,000 kafshësh në rreth 30,000 sot.

Një raport i vitit 2019 sugjeroi një mesatare prej 1.7 krokodilësh të rritur që jetonin në çdo kilometër të lumit të anketuar.

Sipas programit të menaxhimit të Queensland, “krokodilat problematikë” hiqen nga zonat ku përbëjnë kërcënim për sigurinë publike dhe, në raste të rralla, eutanizohen.

Këto shifra janë pakësuar nga Territori Verior i Australisë (NT), i cili është shtëpia e popullatës më të madhe të krokodilëve të egër në botë prej rreth 100,000 zvarranikësh./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala