Alexei Navalny
Trupi i Navalnyt i dorëzohet nënës së tij, njofton zëdhënësja e tij
Trupi i liderit opozitar rus, Alexei Navalny – i cili vdiq papritmas dhe befas në burg javën e kaluar – i është dorëzuar nënës së tij, njoftoi më 24.02.2024 zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh.
Yarmysh tha se nuk e di nëse autoritetet ruse do të lejojnë mbajtjen e varrimit të tij “në mënyrën se si familja dëshiron dhe në mënyrën se si Alexei e meriton”.
Trupi i Navalnyt iu dorëzua nënë së tij Lyudmila Navalnaya pak kohë pasi asaj i ishte kërkuar të pajtohej për “varrosjen e tij fshehurazi”, ose ndryshe ai do të varrosej në burgun ku vdiq.
Yarmysh i falënderoi të gjithë ata që kishin kërkuar kthimin e trupit të tij te familja.
Të shtunën më herët, e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, e akuzoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se po e mbante “peng” trupin e burrit të saj dhe i kërkoi ta lironte atë pa asnjë kusht.
Ajo përsëri e akuzoi presidentin rus se është përgjegjës për vdekjen e burrit të saj.
Kremlini i ka mohuar akuzat, ndërsa reagimet e Perëndimit për vdekjen e tij i ka cilësuar si “histerike”.
Navalny vdiq më 16.02.2024 në një burg rus në Arktik. REL