Trupi Gjykues miraton tërheqjen e Ben Emersonit si mbrojtës i Kadri Veselit

Ben Emerson është tërhequr nga ekipi mbrojtës i Kadri Veselit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Gjykata Speciale njofton se ka miratuar tërheqjen e Ben Emerson-it si dhe vet Emerson dhe Kadri Veseli janë pajtuar me këtë vendim.

“Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Ky vendim do të bëhet i plotfuqishëm pasi që të caktohet kryembrojtësi i ri.

Njoftimin e plotë të Dhomave të Specializuara mund ta qasni në këtë vegëz.

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në një proces ndaras, me akuza të ngjashme për krime lufte po përballet edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala. Ai akuzohet për keqtrajtimin dhe vrasjen e njërit prej të ndaluarve në burgun e supozuar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila ishte në përdorim nga UÇK-ja.

Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për të cilat me vendim fajësie janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Gucati u lirua me kushte të përcaktuara kurse Haradinaj vijon të mbetet në vuajtje të dënimit pasi lirimi i parakohshëm nuk iu aprovua si shkak i ‘mos respektimit të rregullave’.

Me akuza për frikësimin gjatë procedurave penale dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare po përballën edhe veteranët Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi të cilët në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023, janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Kurse, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, më 13 dhjetor të këtij viti e shfrytëzoi të drejtën për të mos u deklaruar lidhur me fajësinë në paraqitjen e parë në Gjykatën Speciale. Shala u arrestua në vazhdën e aksioneve të ZPS-së në kuadër të procesit hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë themeluar mbi bazën e një marrëveshje ndërkombëtare, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një amendamenti kushtetues, dhe në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Këto institucione janë të përkohshme dhe i janë dhënë një mandat dhe juridiksion i caktuar për të hetuar dhe gjykuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës.

Veprat penale që janë në fokus kanë ndodhur midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, duke përfshirë ato që janë kryer nga individë me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe ato që janë kryer kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë selinë e tyre në Hagë, Holandë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.