Trupat ukrainase i shtyjnë forcat ruse nga Kharkivi deri në kufirin rus

Sot është dita e 83 e pushtimit rus në Ukrainë – lufta e parë tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi rus mbi Ukrainë filloi më 24 shkurt, kur presidenti rus Vladimir Putin nisi, sipas tij, një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare dhe ka ngjallur neveri e zemërim në gjithë botën.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj këtij pushtimi.

ShBA dhe shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat nga Ukraina dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.

Ndërkohë, këto janë zhvillimet më të fundit në dhe rreth luftës në Ukrainë:

Evakuimi i trupave të plagosur ukrainas nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol është duke u zhvilluar, konfirmoi Presidenti Ukrainas Volodomyr Zelenskiy, me më shumë se 260 luftëtarë të transportuar jashtë fabrikës së lartcekur. Trupat e kanë përmbushur misionin e tyre luftarak, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës ka thënë se një “procedurë shkëmbimi do të zhvillohet” për t’i sjellë të evakuuarit në shtëpi.

Task Forca e Forcave të Përbashkëta të Ukrainës tha të hënën se 20 civilë, përfshirë një fëmijë, u vranë nga bombardimet ruse në rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Burimet ushtarake perëndimore thonë se Vladimir Putin është përfshirë në luftën në Ukrainë “në nivelin e një koloneli apo brigadieri”. Udhëheqësi rus thuhet se është aq i përfshirë personalisht sa po ndihmon në përcaktimin e lëvizjes së forcave në Donbas.

 Zyrtarët ukrainas pohuan se trupat ukrainase në veri-lindje të vendit i kanë shtyrë forcat ruse nga qyteti i Kharkiv dhe kanë përparuar deri në kufirin me Rusinë.

Forcat ukrainase në lindje të vendit mund të ngadalësohen nga aleati i Rusisë, Bjellorusia, e cila po i mobilizon forcat speciale përgjatë kufirit verior të Ukrainës, ka paralajmëruar inteligjenca britanike.

Forcat ruse i kanë bombarduar pozicionet e vijës së frontit në zonën lindore të Donbasit të Ukrainës, ndërkohë që luftimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë në Severodonetsk, qyteti më lindor që ende mbahet nga forcat ukrainase pas më shumë se 11 javësh të luftës.

Pas Suedisë dhe Finlandës, të cilat i konfirmuan dje planet e tyre për t’u bashkuar me NATO-n, Suedia po kërkon ta zbusë kundërshtimin turk duke dërguar diplomatë në Turqi. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se Turqia nuk do t’i miratojë ofertat dhe se delegacionet nga këto dy vende nuk duhet të shqetësohen për të ardhur.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia nuk ka asnjë problem me Finlandën dhe Suedinë, por se zgjerimi i infrastrukturës ushtarake në territorin e tyre do të kërkonte një reagim nga Moska, pasi vendet nordike po i afrohen anëtarësimit në NATO, gjë që Rusia e ka cilësuar si një gabim me pasoja të mëdha.

Hungaria është akuzuar për “mbajtjen peng të BE-së” për refuzimin e saj për të rënë dakord për një embargo të naftës kundër Rusisë, ndërkohë që  blloku i BE-së po përpiqet ta arrijë një konsensus mbi sanksionet e tij të fundit që synojnë të gërryejnë aftësinë e Kremlinit për të zhvilluar luftë.

Gjigandi amerikan i ushqimit të shpejtë McDonald’s do të dalë nga tregu rus dhe do ta shesë biznesin e tij në vendin gjithnjë e më të izoluar, tha kompania të hënën. Kompani tjera të mëdha që janë tërhequr nga Rusia që nga shkurti përfshijnë H&M, Starbucks dhe Ikea.

Ndërkohë, qeveria e qytetit të Moskës do ta marrë përsipër një fabrikë që i përket prodhuesit francez të makinave Renault dhe do ta përdorë atë për të ringjallur Moskvitch-in e epokës sovjetike në shtetëzimin e parë të madh rus të një kompanie të huaj gjatë luftës së saj në Ukrainë./The Guardian