Trupat amerikane lënë aeroportin e Bagramit në Afganistan

Forcat amerikane ia dorëzuan aeroportin e Bagramit, baza kryesore amerikane në Afganistan, forcave afgane të sigurisë. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, kjo nuk do të thotë që ka përfunduar tërheqja e trupave amerikane.

Për gati dy dekada fusha ajrore e Bagramit shërbeu si qendra e luftës së Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar forcat talibane nga pushteti dhe për të eleminuar terroristët e al-Kaidës. Dorëzimi i bazës ishte një nga hapat e fundit para se Shtetet e Bashkuara të përfundojnë tërheqjen e trupave të tyre. Ndërkohë Presidenti Joe Biden u dha fund spekulimeve se tërheqja amerikane do të përfundojë rreth ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara me 4 korrik.

Një gazetare e pyeti presidentin nëse tërheqja do të përfundonte brenda disa ditësh.

“Jo. Jemi në procesin e duhur për të përfunduar saktësisht në kohën e caktuar. Doja të kishim hapësirë të mjaftueshme që gjërat të përfundonin deri në shtator”, tha Presidenti Biden.

Pengatoni la të kuptohet të premten se tërheqja do të përfundonte për disa javë.

“Synimi ishte fillimi i shtatorit. Besoj se do të jemi në gjendje të përfundojmë nga fundi i gushtit. Me mbylljen e bazës në Bagram, përpjekjet tani kalojnë në Kabul dhe përreth tij”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

Me tërheqjen e mjeteve luftarake ajrore nga Afganistani, ushtria amerikane do të mbështetet tek avionët luftarakë të vëndosur më shumë se një mijë kilometra larg për të vazhduar luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik dhe al-Kaidës, tha për Zërin e Amerikës Gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara.

“Është një rrugë e gjatë për të sjellë trupa dhe avionë në Afganistan nga përtej horizontit.”

Carla Babb, gazetarja e Zërit të Amerikës: Tërheqja nga Bagrami do t’i bëjë gjërat më të vështira

“Do të jetë e vështirë por jo e pamundur”, tha Gjenerali Frank McKenzie.

“Dorëzimi i bazës është humbje e madhe për interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, tha për Zërin e Amerikës Bradley Bowman, ekspert i mbrojtjes me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. Ai ka qënë pilot i helikopterëve Black Hawk në Afganistan.

“Prania dhe gatishmëria do të jetë më e vogël për t’u angazhuar në luftën kundër terrorizmit. Kjo po ndodh për shkak të një vendimi politik, kjo tërheqje e rrëmbyer, duke mos marrë parasysh këshillat e komandantëve në terren”, theksoi ai.

Portali i lajmeve në internet “Lonvg War Journal”, i cili raporton për luftën kudër terrorizmit, thotë se që nga fillimi i tërheqjes amerikane me 1 maj, talibanët kanë dyfishuar numrin e qarqeve nën kontroll nga 77 në 157.

Gjenerali në pension Joseph Votel, dikur në krye të Komandës Qendrore Amerikane, thotë se forcat amerikane ende kanë aftësi të konsiderueshme, por përparimet e talibanëve janë shqetësuese.

“Nuk mendoj se jemi në një situatë, ku ndeshemi me një skenar kolapsi të menjëhershëm, por forcat afgane do të kenë nevojë për mbështetje”.

Gjatë viteve të fundit ka rënë mbështetja e publikut amerikan për luftën, duke bërë që udhëheqësit amerikanë të bëjnë thirrje për zgjidhje politike ndërsa janë zotuar të vazhdojnë mbështetjen financiare dhe mirëmbajtjen e avionëve.

Por, vetëm koha do të tregojë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të parandaluar përparimet territoriale të talibanëve/VOA/.