Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Trumpi vazhdon ta "shkundë" Uashingtonin
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka përzgjedhur shefin ekzekutiv të gazit në Kolorado, Chris Wright, për të shërbyer si sekretar Energjie, ka raportuar gazeta “The New York Times”. Wirght, i cili nuk ka përvojë qeveritare, ka qenë mbështetës në media i përdorimit të fosileve të naftës dhe ka hedhur poshtë vlerësimet e shkencës për mjedisin.
Në një vend tjetër, Trumpi u ka thënë këshilltarëve se vazhdon ta përkrahë të nominuarin e tij për sekretar të Mbrojtjes, Pete Hegseth, pasi ekipi i tij transitor u dridh prej ngritjes së dyshimeve se ai kishte sulmuar seksualisht një grua, megjithëse ai thotë se ishte bërë me pëlqim të dyanshëm. Hegseth e ka paguar akuzuesen në kuadër të një ujdie të arritur.
Trumpi ka treguar pak gatishmëri që të kujdeset për të kaluarën e besnikëve të tij të përzgjedhur për poste të larta. Emrat e përzgjedhur prej tij do të kalojnë nëpër një proces konfirmimi në Senat. Por mbështetësit e tij janë të lumtur që Trumpi ia ka dalë tashmë ta dridh Uashingtonin, vlerëson “New York Times” në një përmbledhje që u ka bërë zhvillimeve të fundjavës të lidhura me presidentin e ri republikan, i cili do të kthehet në janar në Shtëpinë e Bardhë.
Në analizën e “The Times”, Peter Baker i kësaj gazete ka shkruar se Trumpi “ia ka dalë të hedhë një granatë të madhe në zemër të kryeqytetit të vendit” dhe se po shikon kush do të largohet prej saj e kush do të merret me të.
Trumpi ka deklaruar se “fuqia e vërtetë” dëshmohet nëpërmjet aftësisë për të ngjallur frikë dhe duket se tashmë ia ka dalë ta jetësojë këtë, shkruan “The Times” në përmbledhjen ditore dërguar lexuesve nëpërmjet postës elektronike.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com