Donald Trump dhe Vladimir Putin gjatë takimit në Helsinki, korrik 2018 - Foto: REL/Reuters
Trumpi thotë se po aranzhohet takimi me Putinin
Donald Trumpi ka thënë se po aranzhohet një takim ndërmjet tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin – ka raportuar të premten, më 10.01.2025, transmetuesi britanik BBC.
Presidenti i zgjedhur amerikan nuk e ka caktuar ndonjë datë se kur mund të realizohet takimi.
“Ai dëshiron të takohet me mua dhe ne po e përgatisim.” – ka deklaruar ai në Rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Floridë.
Agjencia ruse e lajmeve Tass ka cituar zëdhënësin e Krmelinit, Dmitri Peskov, të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dorëzuar kërkesë zyrtare për takim.
Trumpi ka premtuar se do të negociojë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, menjëherë pasi të marrë detyrën më 20 janar dhe ka shprehur dyshimin për mbështetjen ushtarake dhe financiare amerikane për Kievin.
“Presidenti Putin dëshiron të takohet.” – ka thënë Trumpi. “Ai e ka thënë edhe publikisht dhe ne dëshirojmë që të mbarojë lufta. Ky është një lëmsh i përgjakshëm”.
Trumpi e ka nominuar Keith Kelloggun, ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe gjenerallejtënant në Ushtrinë amerikane si emisar për Ukrainë dhe Rusi në Administratën e tij të dytë Presidenciale.
Kellogg ka shpalosur në prill idetë e tij në një hulumtim të publikuar, sesi Shtetet e Bashkuara mund t’i japin fund luftës në një.
Ai ka propozuar që Ukraina të mos marrë më shumë ndihmë amerikane, nëse pajtohet të marrë pjesë në bisedimet për paqe me Moskën.
Hulumtimi i tij ka sugjeruar gjithashtu se nëse Moska refuzon të marrë pjesë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ndihmën për Ukrainën.
Pas zgjedhjes së Trumpit në nëntor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se beson që me Trumpin President, lufta “do të mbaronte më shpejt” sesa në rrethana të tjera.
Ai ka thënë se ka pasur një “këmbim konstruktiv” gjatë një bisede telefonike, megjithëse nuk ka thënë nëse Trumpi i kishte shtruar ndonjë kërkesë në lidhje me bisedimet e mundshme me Rusinë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com