
Foto: REL/Reuters
Trump po shqyrton vendosjen e dhjetëmijë trupave në kufi me Meksikën
Më shumë se dhjetëmijë trupa do të dërgohen dhe vendosen përgjatë kufirit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta luftuar kalimin ilegal të emigrantëve, në kuadër të fushatës së presidentit Donald Trump kundër emigracionit – sugjerohet në një memo të brendshme, për të cilën raporton të enjten, më 23.01.2025, transmetuesi britanik BBC.
Presidenti i ri amerikan ka urdhëruar tashmë vendosjen e 1.500 trupave në kufi, për të vendosur barriera – ka bërë të ditur një burim ushtarak, duke treguar se këta ushtarë nuk do të përfshihen në “zbatimin e ligjit”.
BBC-ja raporton se këto masa po merren në kuadër të premtimeve dhe zotimeve të Trumpit gjatë kohës së fushatës presidenciale, se me të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë do t’i ashpërsojë masat ndaj emigrantëve që kalojnë nëpërmjet kufirit jugor me Meksikën.
Në një memo të përditësuar, të cilën e ka parë partneri amerikan i BBC-së, CBS News sugjerohet se edhe dhjetëmijë trupa shtesë mund të vendosen përgjatë kufirit me shtetin fqinj.
Memoja e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare është e datës 21 janar – një ditë pas inaugurimit të presidentit Trump dhe aty thuhet se ka një plan për vendosje “të dhjetëmijë ushtarëve” për ta ndihmuar këtë Agjenci.
1.500 trupat e parë janë urdhëruar që të vendosen në San Diego në Kaliforni dhe El Paso në Teksas, për të ndihmuar 2.500 ushtarët e tjerë, që tashmë janë stacionuar në kufi.
Memoja thotë gjithashtu se Bazat e Departamentit amerikan të Mbrojtjes mund të përdoren si Qendra të Pritjes, derisa emigrantët të riatdhesohen.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com