Trumpi përsërit fyerjet për "gjendjen mendore" të Harrisit

Donald Trumpi ka përsëritur fyerjet personale për gjendjen mendore të zëvendëspresidentes Kamala Harris, në kohën kur disa aleatë të tij republikanë i kanë bërë thirrje të shmangë sulmet e tilla, pasi fyerje të ngjashme kishte bërë edhe një natë më parë në një tubim zgjedhor, ka raportuar të hënën(30.09.2024) televizioni amerikan, CNN.

“Joe Biden është dëmtuar mendërisht. Është për të ardhur keq, por ta gënjesh Kamala Harrisin, sinqerisht, besoj se ajo u lind ngjashëm”, ka thënë ish-presidenti amerikan në një tubim të së dielës – sipas kohës lokale amerikane – në Erie në Pensilvani, duke iu kthyer fyerjeve të një nate më parë në Wisconsin, ku do të deklaronte: “Kamala është e dëmtuar mendërisht”.

Duke fajësuar Harrisin për imigrantët ilegalë në administratën e Bidenit, Trumpi deklaroi të shtunën mbrëma se “nëse mendoni për këtë punë, vetëm një person e paaftë mendërisht do të mund të lejonte t’i ndodhte kjo vendit tonë”.

Të dielën në mëngjes, disa republikanë thanë se ish-presidenti republikan duhet të merret me këto çështje – një aspekt të cilin e ka trajtuar goxha shumë në fushatën e tretë presidenciale.

Senatorja republikane, Lindsey Graham, aleate besnike e Trumpit, i ka thënë Jake Tapperit të emisionit të CNN-it, “State of the Union”, se Trumpi nuk mendonte se Harris ka probleme të shëndetit mendor, porse ajo është “një liberale e krisur”.

“Dhe ja çfarë do t’i thosha presidentit Trump: Kur njerëzit e shohin gjendjen, juve ju besojnë për ekonominë, inflacionin, kufirin dhe politikën e jashtme me margjina të mëdha. Fokusohu në to”, ka thënë republikania nga Karolina Jugore.

“Unë nuk po them se ajo është e krisur. Po them partia juaj, politikat tuaja”, ka thënë ajo, duke sulmuar politikat e Harrisit për emigrantët. Kritika ndaj Trumpit kanë pasur edhe bashkëpartiakë të tjerë të lartë, por nuk i kanë dënuar fyerjet personale të tij për shëndetin mendor të Harrisit.

Edhe fushata e Donald Trumpit i ka dalë në krah kandidatit të saj, me zëdhënësin Steven Cheung që ka thënë se Kamala Harris “është tërësisht e pazonja për të shërbyer si presidente”, duke sulmuar qasjen e saj ndaj emigrantëve.

Televizioni CNN ka kontaktuar edhe fushatën e Harrisit pas komenteve të Trumpit. Sarafina Chitika, zëdhënëse fushate, ka thënë se “Donald Trumpi më në fund po tregon të vërtetën para votuesve: Ai nuk ka asgjë ‘frymëzuese’ për t’i ofruar popullit amerikan, pos errësirë”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com