Trumpi përsërit akuzat për kurdisje, Jennifer Lopez në fushatë me Harrisin
Dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump, kanë mbajtur tubime fushate të enjten mbrëma (31.10.2024), sipas kohës lokale amerikane, katër ditë para datës së zgjedhjeve kur amerikanët do të përcaktojnë se kush do t’i udhëheqë gjatë katër viteve të ardhshme, ka raportuar më 01.11.2024 transmetuesi publik, BBC.
Harris ka premtuar se “do të luftojë për njerëzit punëtorë” pasi në skenë i është bashkuar edhe këngëtarja Jennifer Lopez në tubimin e Las Vegasit. Ylli i muzikës, e cila ka prejardhje nga Porto Riko, ka dënuar ashpër fushatën e Trumpit pasi një mbështetës i republikanit deklaroi territorin amerikan si “ishull lundrues mbeturinash”.
Harris ia ka dalë ta fitojë përkrahjen e shumë figurave të njohura hispanike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditët e fundit, por sondazhet tregojnë se Trumpi ia ka dalë të shënojë ngritje edhe në mesin e kësaj pjese demografike.
Të dy kandidatët e dinë se votat e hispanikëve mund të jenë vendimtare në shtetet e luhatura, si Nevada. Trumpi ndërkohë ka përsëritur pretendimet e tij të pabazuara për kurdisje të rezultatit të zgjedhjeve.
Më shumë se 65 milionë amerikanë tashmë mund të kenë votuar deri tani, duke rrëzuar rekordin e daljes së hershme në zgjedhje të vitit 2020.
Sondazhet tregojnë se gara për ta marrë timonin e Shtëpisë së Bardhë nga ish-presidenti Trump dhe zëvendëspresidentja Harris vazhdon të jetë fort e ngushtë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com