Foto: BBC
Trumpi përjashton mundësinë e një debati tjetër me Harrisin
Donald Trumpi ka përjashtuar mundësinë për një debat të dytë presidencial kundër rivales Kamala Harris para zgjedhjeve të nëntorit, raporton BBC.
Ai ka thënë të enjten (12.109.2024), sipas kohës lokale amerikane, se Harris e do një debat tjetër për shkak se sipas tij qartazi ai e fitoi të parin dy ditë më parë në Filadelfia.
Shumë anketime kanë treguar pas debatit se votuesit e mundshëm ndienin se Harris ishte më e mirë në debat krahasuar me kundërshtarin republikan.
Trumpi ka shtuar se Harris në vend të kësaj duhet “të fokusohet” në punën e saj si zëvendëspresidente. Menjëherë pas një tubimi fushate në Karolinën e Veriut, Harris reagoi duke thënë ua ka borxh votuesve edhe një tjetër debat për shkak se nuk ka asgjë “më të rëndësishme se pesha e asaj” për çka garojnë dy rivalët.
Sondazhet tregojnë se dy kandidatët janë në një garë të ngushtë kur nuk kanë mbetur as dy muaj para ditës së zgjedhjeve të nëntorit.
Të dy shpallën fitoren pas debatit prej 90 minutash në ABC News, ku Harris e gozhdoi Trumpin me një mori sulmesh personale duke e vendosur atë në pozitë mbrojtëse. Në mesin e tyre kishte edhe komente për përmasat e tubimeve të tij dhe për rolin e Trumpit në trazirat e 06.01.2021 në Capitol.
Trumpi dhe mbështetësit e tij kanë akuzuar dy gazetarët moderatorë të ABC-së se nuk u treguan të drejtë me dy kandidatët dhe se favorizuan pretendimet e pavërtetë të Harrisit. Trumpi ka përsëritur të enjten (12.09.2024) se nuk i duhet edhe një tjetër debat.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com