Trumpi nuk do të garojë më nëse i humb zgjedhjet

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se nuk pret se do të garojë në zgjedhjet e vitit 2028 nëse mposhtet në presidencialet e nëntorit, raporton BBC.

Trumpi, 78 vjeç, ka qenë kandidat i republikanëve në tri palë zgjedhjet e fundit dhe ka ndryshuar me themel qasjen e partisë në tetë vjetët e fundit.

Në një intervistë për “Sinclair Media Group”, ai është pyetur nëse do të garonte në rast se zëvendëspresidentja demokrate, Kamala Harris, do t’i fitonte zgjedhjet e sivjetme. “Jo, mendoj se nuk do të garoj”, ka thënë Trumpi. Ai ka thënë se as që do ta mendonte garën pas katër vjetësh, por ka shtuar se “me shpresë do të jemi shumë të suksesshëm” në zgjedhjet e nëntorit.

Ligji amerikan nuk ua lejon presidentëve të kenë më shumë se dy mandate, dhe rrjedhimisht Trumpi nuk pritet të garojë më 2028 nëse fiton sivjet.

Në të kaluarën, magnati i patundshmërive rrallëherë e kishte pranuar mundësinë e humbjes së zgjedhjeve, duke i nxitur mbështetësit me fjalime dhe postime në mediat sociale për fitore në zgjedhje.

Por kjo është hera e dytë brenda katër ditësh që ai e përmend mundësinë e humbjes.

Gjatë një aktiviteti të mbajtur nga Këshilli Amerikani-Izraelit të enjten e javës së kaluar, ai foli për mundësinë e humbjes, dhe sugjeroi se edhe hebrenjtë do të bartnin një pjesë të fajit nëse ai do t’i humbte zgjedhjet e 5 nëntorit.

Komentet u dënuan prej fushatës së Harrisit dhe Komitetit jopartizan Amerikan Hebraik dhe prej Lidhjes Antishpifje.

Fushata e Harrisit ia ka dalë të mbledhë 190 milionë dollarë fonde në gusht, krahasuar me 130 milionë të fushatës së Trumpit.

Në një anketim kombëtar amerikan të përcjellë prej BBC-së, ajo është para Trumpit, dhe një anketim i kryer të dielën(22.09.2024) të kryer nga CBS ka treguar se Harris prin me 52 për qind krahasuar me Trumpin me 48 për qind në shkallë vendi.

Në shtetet kryesore të luhatura, ku pritet të përcaktohet emri i fituesit, Harris ka një epërsi të ngushtë me 51 për qind kundrejt 49 për qind për Trumpin, që është një përmirësim i Harrisit duke pasur parasysh se në një anketim të kryer muajin e kaluar nga CBS, partner i BBC për SHBA, Harris kishte 50 për qind të përkrahjes.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com