
Trump me “vërejtjen e fundit” për Hamasin, teksa SHBA-ja përfshihet në bisedimet për pengjet
Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dhënë Hamasit atë që e ka quajtur “vërejtja e fundit” për lirimin e pengjeve të cilat po mbahen në Gazë – raporton televizioni britanik BBC.
“Po i dërgoj Izraelit çfarëdo që duhet që të kryhet puna. Asnjë anëtar i Hamasit nuk do të jetë i sigurt, nëse nuk veproni qysh them unë.” – ka deklaruar Trump, në një postim të gjatë në Truth Social.
Qortimi ka ardhur disa orë pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se po mbante bisedime direkte me Hamasin – lidhur me pengjet.
Uashingtoni deri tani ka shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë me grupin dhe kishte një politikë të kahershme të amerikanëve, që përjashtonte bisedimet direkte me entitete që i ka listuar si organizata terroriste.
Në postimin e tij në mediumin social, Trump ka thënë se anëtarët e Hamasit i pret ferri nëse nuk lirohen pengjet – pa specifikuar natyrën e mbështetjes së ofruar për Izraelin.
“Lironi të gjitha pengjet tani, jo më vonë, dhe menjëherë ktheni të gjithë trupat e njerëzve të cilët i keni vrarë, ose merr fund për ju.” – ka thënë ai. “Për lidershipin, tani është koha që të largoheni nga Gaza, derisa ende keni një mundësi.”
Ai duket se ka kërcënuar edhe civilët: “Edhe për popullin e Gazës: Ju pret një e ardhme e bukur, por jo nëse i mbani pengjet. Nëse e bëni këtë, jeni të vdekur!”
Nuk është hera e parë që Trump kërcënon Hamasin. Këtë e kishte bërë edhe në dhjetor, pasi ishte takuar me një peng të liruar izraelit.
Njëherësh, sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara po negociojnë drejtpërdrejt me Hamasin – në përpjekje që të sigurhet lirimi i pengjeve. Ajo ka shtuar se paraprakisht është njoftuar edhe Izraeli.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com