Donald Trump dhe Vladimir Putin gjatë takimit në Helsinki, korrik 2018 - Foto: REL/Reuters

Trump i gatshëm të takohet "sa më shpejt" me Putinin për të përfunduar luftën në Ukrainë

Presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron ta takojë presidentin rus, Vladimir Putin, sa më shpejt që është e mundshme që të sigurojë përfundimin e luftës me Ukrainën. Ai ka shprehur edhe dëshirën që të punojë për reduktimin e armëve bërthamore – raporton Reuters.

Në prag të fitores në Zgjedhjet e 5 nëntorit, Trumpi kishte deklaruar shumë herë se do të kishte një Marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë në ditën e tij të parë në detyrë – nëse jo më parë. Këshilltarët e tij tani pranojnë se lufta do të marrë muaj për t’u ndalur.

“Unë me të vërtetë do të doja të jem në gjendje të takohem me presidentin Putin së shpejti, për të përfunduar luftën.” – ka thënë Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, përmes video-lidhjes. Trump është kthyer të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

“Dhe kjo nuk është nga pikëpamja ekonomike, apo ndonjë gjëje tjetër. Nga pikëpamja e miliona jetëve që po humbin… Është një masakër. Dhe, ne me të vërtetë duhet ta ndalim atë luftë.”

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë më vonë gjatë ditës, Trumpi deklaroi para gazetarëve se është i gatshëm të takohet me Putinin sa më shpejt, që t’i jepet fund asaj që e quajti “luftë qesharake”.

“Me sa dëgjoj, Putini do të donte të më takonte.” – ka thënë ai. “Do të takohesha menjëherë.” – ka thënë Trumpi. “Çdo ditë që kalon pa u takuar, ushtarët vriten në fushën e betejës.”

Trump shtoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy i kishte thënë se është gati të arrinte Marrëveshje, për t’i dhënë fund luftës.

Trump u ka thënë pjesëmarrësve në Davos, se po bëhen përpjekje amerikane për zgjidhje paqeje, por nuk dha më shumë detaje. Rusia pushtoi Ukrainën në shkurtin e vitit 2022.

Në fillim të kësaj jave, Trump kërcënoi se do të vendoste “nivele të larta” sanksionesh ndaj Rusisë dhe tarifa për importet nga atje nëse Moska nuk do zgjidhje.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com