Susie Wiles dhe Donald Trump. Foto: The Associated Press

Trumpi e emëron “zonjën e akullt” shefe të stafit

Kur Donald Trumpi e mbajti fjalimin e tij të fitores të martën mbrëma – sipas kohës lokale amerikane – njëra prej bashkëpunëtoreve që dolën në skenë ishte edhe Susie Wiles, e cila e uroi për fushatën e suksesshme tashmë presidentin e zgjedhur, shkruan BBC më 08.11.2024.

Strategia 67-vjeçare e fushatave politike nuk ka pasur fort qejf të shfaqet në skenën politike duke kryer punë pa u vërejtur, kishte thënë Trumpi për Wiles.

Tani, gruaja që njihet edhe me nofkën “zonja e akullt”, që dikur kishte punuar edhe në administratën e Ronald Reaganit si planifikuese, do të mbajë njërin prej posteve kryesore të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo do të bëjë histori si gruaja e para shefe stafi – rol kyç, që do të jetë me detyrën e organizimit dhe këshillave për operacionet e përditshme të Shtëpisë së Bardhë.

Në një komunikatë të shkruar, Trumpi ka thënë se Wiles ka qenë pjesë integrale e fushatave të tij dhe e ka përshkruar si grua të fortë, të zgjuar, inovative dhe përgjithësisht e admiruar dhe e respektuar.

Në mandatin e tij të parë, ish-presidenti kishte ndërruar katër shefa stafi.

Kësaj here, duket se ka ndarë mendjen që të emërojë njerëz më të besueshëm për zbatimin e agjendës së tij.

Për emërimin e mundshëm të Wilesit kishte raportuar edhe agjencia Reuters dy ditë më parë kur kishte listuar emrat e qeverisë së ardhshme të Trumpit

Ndërsa specifikat e pikëpamjeve të saj politike janë disi të paqarta, asaj i njihet merita për drejtimin e një fushate të suksesshme dhe efikase.

Mbështetësit shpresojnë se ajo do të rrënjosë një ndjenjë rregulli dhe disipline që shpesh mungonte gjatë mandatit të parë të Trumpit, kur ai ndërroi një numër shefash të shtabit, shkruante Reuters për profilin e Wiles.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com