
Foto: Donald J. Trump / facebook
Trump do të vendosë tarifa prej 25% për çelikun dhe aluminin
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se do të vendosë tarifa të reja prej 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit në SHBA, pos detyrimeve ekzistuese të metaleve, në një tjetër përshkallëzim të madh të rivlerësimit të politikës së tij tregtare – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.
Trump, duke folur për gazetarët në “Air Force One” rrugës e tij për ndeshjen e NFL-së, Super Bowl në New Orleans, ka thënë se të hënën do t’i kumtojë tarifat e reja të metaleve.
Ai ka thënë gjithashtu se do t’i kumtojë tarifat reciproke të martën ose të mërkurën, që do të hyjnë në fuqi pothuajse menjëherë – duke i zbatuar ndaj të gjitha vendeve dhe duke u përshtatur me tarifat e vendosura nga secili vend.
“Dhe shumë thjeshtë, nëse ata na ngarkojnë, ne i ngarkojmë ata.” – ka deklaruar Trump për planin tarifor reciprok.
Burimet më të mëdha të importeve të çelikut të SHBA-së janë Kanadaja, Brazili dhe Meksika, pasuar nga Koreja e Jugut dhe Vietnami – sipas të dhënave të Qeverisë dhe Institutit Amerikan të Hekurit dhe Çelikut.
Me një diferencë të madhe, Kanadaja e pasur me hidrocentrale është furnizuesi më i madh i metaleve të papërpunuara të aluminit në SHBA, me 79% të importeve totale në 11 muajt e parë të 2024-tës.
“Çeliku dhe alumini kanadez mbështesin industritë kryesore në SHBA nga mbrojtja, ndërtimi i anijeve dhe makinat.” – ka postuar ministri kanadez i Inovacionit, Francois-Philippe Champagne në X.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesin e Kanadasë, punëtorët tanë dhe industritë tona.”
Trump ka thënë gjithashtu se ndërsa Qeveria amerikane do ta lejojë Nippon Steel japonez për të investuar në U.S. Steel, nuk do të lejojë që kjo të bëhet me blerje të shumicës së aksioneve.
“Tarifat do ta bëjnë sërish shumë të suksesshëm dhe mendoj se ka një menaxhim të mirë.” – ka theksuar Trump për US Steel.
Nippon Steel nuk pranoi të komentonte deklarimet e fundit nga Trump.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com