Trump: Vaksina mund të jetë gati brenda tre apo katër javësh

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë të martën në Filadelfia të Pensilvanisë, Presidenti Donald Trump tha se “brenda disa javësh” vendi do të ketë në dispozicion një vaksinë kundër COVID-19, një pohim që bie në kundërshtim me parashikimet e ekspertëve kryesorë të shëndetësisë të cilët thonë se vaksina mund të jetë gati shumë më vonë.

Parashikimi i Presidentit Trump se vaksina mund të jetë gati “brenda tre apo katër javësh” është një përsëritje e pohimeve të mëparshme, se vaksina do të ishte gati para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Presidenti i tha gazetarit të rrjetit televiziv ABC George Stephanopoulos se virusi përfundimisht do të zhdukej edhe pa një vaksinë, duke përmendur atë që njihet si “imuniteti i turmës”, çka nënkupton që një pjesë e madhe e popullsisë fiton imunitet ndaj sëmundjes. Por zoti Trump tha gjithashtu se COVID-19 “do të zhdukej shumë shpejt” falë vaksinës. Komentet zotit Trump u bënë disa orë pasi qendra pavarur kërkimore Pew publikoi një sondazh sipas të cilit vetëm 15 për qind e popullatës në 13 vende të ndyshme besojnë se Shtetet e Bashkuara e trajtuan mirë pandeminë, krahasuar me 85 për qind që thanë se përgjigjja e SHBA-së ishte e dobët.

Të anketuarit vlerësuan shumë më lart rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, organizatë nga e cila SHBA është tërhequr duke e akuzuar për korrupsion.

Sipas të dhënave të universitetit John Hopkins në Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 6.6 milionë të prekur dhe mbi 195 mijë të vdekur.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e Indisë njoftoi se numri i të prekurve me Covid-19 kaloi shifrën 5 milionë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Indi ka patur mbi 90 mijë infeksione të reja dhe 1,290 vdekje nga coronavirusi./VOA