
Trump thotë se SHBA-ja dëshiron ta marrë kontrollin e Rripit të Gazës
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të marrin përsipër Rripin e Gazës, të shkatërruar nga lufta dhe do ta zhvillojnë ekonomikisht, pasi palestinezët të vendosen diku tjetër, veprime që do të shkatërronin dekada të politikës amerikane ndaj konfliktit izraelito-palestinez – raporton Agjencia amerikane e lajmeve Reuters.
Trump shpalosi planin e befasishëm, pa dhënë specifika, në një Konferencë të përbashkët shtypi të martën, më 05.02.2025 – sipas kohës lokale amerikane – me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Deklarimi pasoi propozimin tronditës të Trumpit më herët gjatë ditës për vendosjen e përhershme të më shumë se dy milionë palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje – duke e quajtur enklavën, ku është në fuqi faza e parë e Marrëveshjes së brishtë Izrael, “Hamas” dhe lirimi i pengjeve “vend shkatërrimi”.
Trump mund të presë që aleatët dhe armiqtë të kundërshtojnë fuqimisht çdo kontroll të Gazës nga SHBA-ja dhe propozimi i tij ngrit dilema nëse fuqia e Lindjes së Mesme, Arabia Saudite, do të ishte e gatshme t’i bashkohej shtytjes së ripërtërirë të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për normalizim historik të marrëdhënieve me aleatin e SHBA-së, Izraelin.
Ndërmarrja e një aksioni të drejtpërdrejtë amerikan në Gazë do të binte ndesh me politikën afatgjate në Uashington dhe për pjesën më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, e cila është shprehur se Gaza do të ishte pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez që përfshin Bregun e pushtuar Perëndimor.
“SHBA-ja do të marrë përsipër Rripin e Gazës dhe ne do të bëjmë punë me të gjithashtu.” – ka deklaruar Trump para gazetarëve. “Ne do ta zotërojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në vend”.
“Ne do ta zhvillojmë atë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune dhe do të jetë diçka për të cilën e gjithë Lindja e Mesme mund të jetë shumë krenare.” – ka deklaruar Trump. “Unë shoh një pozicion afatgjatë të pronësisë dhe e shoh se po sjell stabilitet të madh në atë pjesë të Lindjes së Mesme”.
I pyetur se kush do të jetonte atje, Trump ka theksuar se mund të kthehet në një shtëpi për “njerëzit e botës”. Trump deklaroi se rripi i ngushtë, ku sulmi ushtarak i Izraelit si kundërpërgjigje ndaj sulmit ndërkufitar të “Hamasit” më 07.10.2023 ka rrafshuar hapësira të mëdha, ka potencial për t’u kthyer në “Rivierë të Lindjes së Mesme”.
Trump nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes se si dhe nën çfarë autoriteti SHBA-ja mund të pushtojë Gazën, një brez bregdetar 45 kilometra i gjatë dhe 10 kilometra i gjerë, me një histori të dhunshme. Administratat e njëpasnjëshme amerikane, përfshirë të Trumpit në mandatin e parë, e kishin shmangur vendosjen e trupave amerikane.
Disa ligjvënës demokratë dënuan shpejt propozimet e Presidentit republikan për Gazën.
Netanyahu, të cilit Trump disa herë iu referua me pseudonimin e tij, “Bibi”, nuk u tërhoq prej propozimit, pos që ka lavdëruar Trumpin për qasjen e re.
Udhëheqësi izraelit, ushtria e të cilit ishte përfshirë në më shumë se një vit luftime të ashpra me militantët e “Hamasit” në Gazë, ka theksuar se Trump “po mendonte jashtë kutisë me ide të reja” dhe “po tregonte gatishmëri për të dalë nga të menduarit konvencional”.
Netanyahu mund të jetë lehtësuar që Trump, i cili krijoi lidhje të ngushta me liderin izraelit gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë, nuk bëri presion publikisht për të mbajtur armëpushimin. Ai përballet me kërcënime nga anëtarët e ekstremit të djathtë të Koalicionit të tij për ta rrëzuar Qeverinë e tij, nëse nuk rifillon luftimet në Gazë për të shkatërruar “Hamasin” të mbështetur nga Irani.
Disa ekspertë kanë sugjeruar që Trump ndonjëherë merr një pozicion ekstrem ndërkombëtar për të vendosur parametrat për negociatat e ardhshme. Në mandatin e tij të parë, Trump herë pas here lëshoi ato që shiheshin si deklarata mbi politikën e jashtme, shumë prej të cilave ai kurrë nuk i zbatoi.
Vlerësimi i dëmeve i OKB-së, i publikuar në janar, tregoi se pastrimi i mbi 50 milionë tonë rrënojave të mbetura në Gazë si pasojë e bombardimeve të Izraelit, mund të zgjasë 21 vjet dhe të kushtojë deri në 1.2 miliardë dollarë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com