Foto: Rtv21

Trump, rishikim i rregulloreve për platformat e rrjeteve sociale

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të nxjerrë një urdhër ekzekutiv për rishikimin e një ligji, i cili prej kohësh mbron kompanitë Twitter, Facebook dhe Google që ato të mos mbajnë përgjegjësi për materialin e postuar nga përdoruesit.

Njoftimi vjen pasi kërcënimeve të Presidentit se do të mbyllte faqe të caktuara interneti që ai i akuzon se po mbysin zërat konservatorë.

Dy ditë më parë zoti Trump u përfshi në një debat me kompaninë e rrjeteve sociale Twitter, kur ajo vendosi t’u shtojë shënime tweeteve të Presidentit rreth pretendimeve të tij, të pa mbështetura në fakte, për manipulime në votimin me postë.

Kompania u kishte shtuar tweeteve të presidentit një paralajmërim, ku i nxiste lexuesit të kontrollonin faktet.

Urdhri ekzekutiv do t’i kërkonte Komisionit Federal të Komunikimit të propozojë apo sqarojë disa rregullore të kapitullit 230 në Ligjin për Komunikimin e Qytetëruar, sipas të cilave platformat e internetit nuk mbajnë përgjegjësi ligjore për materialin që postojnë përdoruesit e tyre.

Ndryshime të tilla mund t’i ekspozojnë kompanitë e teknologjisë ndaj padive të reja ligjore.

Në projekt-urdhrin ekzekutiv i kërkohet Komisionit Federal të Komunikimit të shqyrtojë nëse veprimet të cilat lidhen me ndryshimet që kompanitë e mediave sociale vendosin t’i bëjnë përmbajtjes së postuar në platformat e tyre, duhet të çojnë në humbjen e mbrojtjes që ato gëzojnë sipas kapitullit 230 të ligjit.

Projekt-urdhri i kërkon gjithashtu agjencisë në fjalë të shqyrtojë nëse një platformë e medias sociale përdor praktika mashtruese për të ndryshuar përmbajtjen e postuar dhe nëse këto praktika nuk janë në përputhje me statutin e saj.

Në projekt-urdhër thuhet se Zyra e Strategjisë Dixhitale pranë Shtëpisë së Bardhë do të ngrejë një mekanizëm për të ndihmuar qytetarët të raportojnë raste të censurës në internet. /VoA