Trump premton sanksione të reja ndaj Iranit

Në fjalimin drejtuar kombit pas sulmit nga Irani kundër caqeve amerikane në Irak, presidenti i Shteteve të Bashkuara, premtoi sanksione kundër regjimit të ajetullahëve.

“Populli amerikan duhet të jetë i lumtur, pasi që asnjë amerikan nuk është plagosur në sulmet e ndërmarra dje nga regjimi iranian. Kishte vetëm dëme minimale materiale në bazat tona”, tha presidenti në fjalimin nga Shtëpia e Bardhë. Ai përgëzoi sistemin e alarmimit që ka funksionuar.

Sipas presidentit amerikan, “duket se Irani nuk është i gatshëm të shkojë më larg me reagim”.

“Ne vazhdojmë të vlerësojmë përgjigjet përballë agresionit iranian”, ka shtuar ai, duke njoftuar “sanksione ekonomike shtesë dhe të menjëhershme” kundër regjimit iranian.

“Këto sanksione do të mbeten deri kur Irani të ndryshojë sjelljen”, shtoi presidenti amerikan.

KALLXO.com transmetoi LIVE fjalimin e presidentit Trump.